Foto: Ilustrim

Pamje nga arrestimi i të dyshuarve për fajde në Pejë

Një person i cili kishte marrë para nga disa persona të tjerë ishte detyruar që borxhin e marrë ta kthente në shumë më të madhe për shkak të kamatës.

Viktima kishte njoftuar Prokurorinë e Pejës ndërsa rasti ishte hetuar me masa të fshehta.

Viktima i kishte bërë pagesën të dyshuarit me para të cilat kanë qenë të regjistruara nga Policia e Kosovës.

Biseda e parë ishte zhvilluar në një lokal në Pejë, ndërsa biseda e dytë në një lokal në Deçan.

Pas takimeve në mes të viktimës dhe të dyshuarve, të cilat kanë qenë të xhiruara, Policia ka pasur prova për të arrestuar të dyshuarit për fajde.

Prokurori Ersan Qavolli i cili ka trajtuar këtë rast ka treguar se si është pranuar informacioni.

“Informacionet e para në këtë rast janë së i pandehuri i ka dhënë para me fajde të dëmtuarit në vlerë prej rreth 13 mijë euro, ndërsa i dëmtuari për këto para, ndërsa i dëmtuari në emër të kamatës ka paguar deri më tani 15 mijë euro, ndërsa i pandehuri kërkon më shumë para si rezultat i ndëshkimeve për shkak të vonesave dhe presim takimin që do të bëhet mes të pandehurit dhe të dëmtuarit”, ka treguar prokurori.

Prokurori Qavolli ka përmendur masat e fshehta të cilat janë përdorur për të arrestuar të dyshuarit.

“Si prokurori kemi filluar hetimet para dy jave, ku kemi kërkuar zbatimin e masave të fshehta , blerja e simuluar e ndonjë sendi, fotografimi i fshehtë në vende publike dhe private, si dhe monitorimi i bisedave në vende publike dhe private”, ka thënë Prokurori.