Kufiri Kosovë - Serbi në Merdare - Foto: REL

Në gjendje pandemie, në 24 orët e fundit hynë 2 mijë persona në Kosovë

Rreth 2 mijë persona kanë hyrë në Kosovë brenda 24 orëve të fundit nga pikat kufitare të cilët menaxhohen nga Policia e Kosovës.

Numri i saktë i personave që janë kontrolluar në hyrje të pikave kufitare në Kosovë është 1 mijë e 972 ndërsa në dalje 2 mijë e 128.

Gjithashtu në disa përgjigje të Policisë së Kosovës drejtuar KALLXO.com thuhet se 25 autobusë janë kontrolluar në hyrje të Kosovës.

Në Ballkan vetëm Mali i Zi nuk ka ende ndonjë rast të konfirmuar me të infektuar me coronavirusin COVID-19.

Në anën tjetër, në Kosovë janë identifikuar 13 të prekur me virus.

Megjithatë brenda orëve të fundit në Kosovë ka pasur qarkullim edhe nga vendet e prekura me virusin corona.

Rastet e konfirmuara në Kosovë numri i të cilëve sot ka mbërritur në 13 janë infektuar nga persona të ardhur nga Italia.

Kështu të paktën janë konfirmimet zyrtare.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e policisë detaje për personat që kanë hyrë në Kosovë.

Sipas policisë 655 vetura kanë qenë në hyrje dhe 851 në dalje të kufijve. 177 kamionë janë kontrolluar në hyrje dhe 180 në dalje. Gjithashtu 365 këmbësorë kanë hyrë në Kosovë në 24 orët e fundit.

Mbrëmë Qeveria e Kosovës shpalli gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik.