Në foltore të Kuvendit vendoset pankartë me mbishkrimin “ZDRAVO”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka vendosur një pankartë në foltoren e Kuvendit me mbishkrimin “ZDRAVO”.

Kjo pankartë është vendosur gjatë kohës sa ishte duke mbajtur fjalim deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Shkronja “V” në fjalën “ZDRAVO” shihet se është në ngjyrë të kuqe, si shkronja identifikuese e Partisë Lëvizja Vetëvendosje.

Mbishkrimi “ZDARVO” i referohet audio – incizimeve ku pretendohet që është e përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me nënkryetarin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

“Zdravo” nga serbishtja përkthehet “përshëndetje”.

Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq edhe për Millan Radojiçiq, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Përpos kësaj, Radojiçiq është i dyshuar edhe në rastin Brezovica e madje edhe është në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Kusari-Lila ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin.