Kryeministri Albin Kurti bën nderime te Parku Memorial Të Pagjeturit. FOTO: ZKM.

Në 80 vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, Kurti kërkon drejtësi për të pagjeturit

Në 80 vjetorin e lindjes së veprimtarit Ukshin Hoti, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka bërë nderime te Parku Memorial “Të pagjeturit” në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, kushtuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe.

Me këtë rast, kreu i qeverisë ka vendosur lule pranë kësaj pllake.

Kryeministri Albin Kurti bën nderime te Parku Memorial Të Pagjeturit. FOTO: ZKM.

“Pranë rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, te pllaka, e cila përkujton të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë, pra të rrëmbyerit me dhunë, unë vendosa lule të freskëta sot me 17 qershor, kur kremtojmë 80-vjetorin e lindjes së Profesorit Ukshin Hotit, i cili ka datë të lindjes, por jo të vdekjes, sepse edhe vet është i rrëmbyer me dhunë nga forcat e Serbisë dhe për fatin e të cilit nuk dimë gjë as sot e kësaj dite” – ka thënë Kurti.

Parku Memorial “Të pagjeturit” në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë. FOTO: ZKM.

kryeministri ka rikujtuar 1,617 qytetarët e Kosovës të zhdukur me dhunë për të cilët ka thënë se kërkojnë të vërtetën, drejtësinë e përgjegjësi.

Ai po ashtu ka njoftuar se Andin Hoti, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe njëherësh i biri i Ukshin Hotit, i ka dërguar edhe një letër Presidentit të Serbisë, me ç ‘rast kërkohet përgjegjësi.

“Përkitazi me këtë e duke u bazuar në marrëveshjen e dakorduar në Bruksel në takimin e 2 majit, edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, i cili është edhe i biri i Ukshin Hotit, i ka shkruar një letër Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku kërkon prej tij hapjen e arkivave, posaçërisht të dokumentacionit të klasifikuar, por duke mos u kufizuar tek ai, të brigadës së motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash në rajonin e Drenicës”, -ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti ka shtuar se të pagjeturit i mungojnë gjithë popullit e shoqërisë.