Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndryshimi i kufijve në Ballkan, cili është qëndrimi britanik?

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se nuk beson që ndryshimi i kufijve çon në drejtim pozitiv.

Sipas Abbott, kjo nuk diskutohet në të njëjtën mënyrë më e as nuk është propozuar në të njëjtën mënyrë siç ka ndodhur në të kaluarën.

“Jo, politika e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka ndryshuar, ne nuk besojmë që ndryshimi i kufijve çon në drejtim pozitiv, nuk mendojmë që do të kishte efekte të dëshiruara dhe rreziku do të ishte që në fakt vetëm sa do të përkeqësonte situatën tutje, jo vetëm këtu por edhe gjetiu në regjion”, tha Abbott.

“Prandaj, përshtypja ime është që kjo nuk diskutohet në të njëjtën mënyrë më e as nuk është propozuar në të njëjtën mënyrë siç ka ndodhur në të kaluarën. Mendoj që njerëzit e kanë parë që ky nuk është opsion që gjendet në tavolinë. Normalisht, negociatat janë negociata, dhe u takon Kosovës dhe Serbisë se si dhe ku duan të shkojnë, dhe cili është qëndrimi i tyre i saktë, mirëpo nga pikëvështrimi i Mbretërisë së Bashkuar, ne nuk besojmë që shkëmbimi i territoreve do të ndihmonte”, shtoi tutje ai.

Ndërkaq, i pyetur nëse nga perspektiva e Mbretërisë së Bashkuar a e kupton se cili është qëndrimi aktual i Kosovës për dialogun, Abbott tha se edhe Qeveria e re po përpiqet ta përcaktojë se cili është qëndrimi i saj.

“Jo, në fakt do të thosha se edhe Qeveria e re po përpiqet ta përcaktojë se cili është qëndrimi i saj. Ne kemi qenë të qartë në komunikimin tonë se ne besojmë që ata kanë nevojë për kohë për të sqaruar qëndrimin e vet, ata kanë nevojë për të parë se çka është dakorduar paraprakisht, për të kuptuar marrëveshjet paraprake, dhe pastaj të formulojnë qëndrimet e veta e që do t’u mundësonte të angazhohen”, shtoi ambasadori.