Ndalohet për 48 orë djali i kandidatit të LDK-së për kryetar të Junik

Me urdhër të prokurorit të shtetit, Visar Shehu, djali i kandidatit të LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehut, është ndaluar për 48 orë.

Zëdhënësi i Prokurorisë për rajonin e Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë për KALLXO.com se Shehu është ndaluar për veprën “pengim i procesit zgjedhor”.

KALLXO.com mëson se Visar Shehu është inspektor në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Më herët KALLXO.com ka raportuar se Shehu është marrë në pyetje nga Prokuroria pas denoncimeve.

Rasti ka ndodhur në Qendrën e votimit 3101C në Junik.

Për rastin në Junik ka folur sot në konferencë për media edhe zyrtari i AAK-së, Besnik Tahiri.

“Së fundi e kemi një lajm, ku djali i kandidatit për kryetar të komunës në Junik, nga radhët e LDK-së është ndaluar nga Policia për shkak se në një qendër të votimit ka kërcënuar drejtoreshën e shkollës, respektivisht menaxheren e asaj shkolle”, tha ai.