Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kujtim Shala

Musliu flet për sigurinë në veri pas mbledhjes së Komisionit për AKI-në

Pas raportimit të Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti në Komisionin Mbikëqyrës të AKI-së, kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu në një deklarim për media kishte thënë se ka pjesëtarë që janë duke u trajnuar në Rashkë për veprime destabilizuese në veri të Kosovës.

Kjo deklaratë e Musliut ishte dhënë më 5 prill 2023, përderisa diçka e tillë u përmend nga ana e kryetares prapë sot.

“Ne kemi paralajmëru që grupe të ndryshme kriminale janë duke u trajnuar në Rashkë për të destabilizuar Kosovës muaj më herët, fatkeqësisht jemi në pikën ku jemi” – ka thënë sot Musliu.

Ajo tutje tha se si komision parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së e kanë paraqitur rrezikun që do të vijë kjo situatë.

“Gjithmonë duke iu referuar fakteve, argumenteve dhe të gjeturave që i kemi pas nga terreni” – tha Musliu.

Ajo tutje tha se AKI nuk ka rol ekzekutiv, ata mbledhin informata dhe për të njëjtat e njoftojnë kryeministrin dhe presidenten për gjendjen e sigurisë kombëtare.

“Pastaj mbetet ekzekutivit që të menaxhoj me situatën” – tha kryetarja Musliu.

Më 5 prill Musliu kishte thënë se dy grupet që po trajnoheshin i përkisnin të ashtuquajturës “Organizata e mbrojtjes civile në veri”, për të cilët Musliu kishte thënë se janë në bashkëpunim me Listën Serbe.

“Pjesëtarë të kësaj organizate, dy grupe tashmë janë duke u trajnuar ose duke i kryer kurset e trajnimit në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë për aksione të ndryshme eventuale që mund të merren në veri të Kosovës” – ishte shpreh kryetarja e Komisionit.

Që nga 26 maji, është protestuar për hyrjen e kryetarëve nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe protestuesve, ku kanë mbetur të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore mbetën edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar.

Veturat e mediave, e edhe të Policisë së Kosovës u thyen e u djegën.

Për sulmet që u bënë në drejtim të gazetarëve u arrestuan disa persona, e një nga të arrestuarit gjatë këtyre ditëve po dyshohet të jetë i përfshirë edhe në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e po ashtu edhe për sulm ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në dhjetor të vitit të kaluar në veri.

Personi që po dyshohet për kryerje të këtyre veprave penale është Milun Milenkoviq i njohur si Llune, i cili u arrestua më 13 qershor 2023.

Vetëm një ditë pas arrestimit të tij, më 14 qershor Policia kishte konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues ishin kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Për këtë rast, autoritetet e Serbisë kanë qëndrim tjetër. Ata thonë se nuk ka pasur kidnapim, por arrestim pasi pretendojnë se policët gjendeshin në territor të Serbisë.

Tre policët e Kosovës të cilët gjenden në një qendër paraburgimi në Kralevë të Serbisë, më 19 qershor u vizituan nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.

Gjykata e Lartë në Kralevë, më 16 qershor mori vendim për masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj policëve të Kosovës.

Për lirimin e tyre, pati kërkesa të shumta nga ana e ndërkombëtarëve e edhe nga ana e udhëheqësve shtetëror të Kosovës.

Musliu: Dy grupe në Rashkë janë duke u stërvitur për veprime destabilizuese në veri