Musliu: Dy grupe në Rashkë janë duke u stërvitur për veprime destabilizuese në veri
Pas raportimit të Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti në Komisionin Mbikëqyrës të saj, kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu ka thënë se pjestëarë të dy gurpeve janë duke u trajnuar në Rashkë për veprime destabilizuese në veri të Kosovës.
Ajo ka thënë se këto dy grupe i përkasin të ashtuquajturës “Organizata e mbrojtjes civile në veri”, për të cilët Musliu ka thënë se janë në bashkëpunim me Listën Serbe.
“Pjesëtarë të kësaj organizate, dy grupe tashmë janë duke u trajnuar ose duke i kryer kurset e trajnimit në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë për aksione të ndryshme eventuale që mund të merren në veri të Kosovës” – u shpreh kryetarja e Komisionit.
Ajo tutje tha se gjendja e sigurisë në Kosovë raportohet të jetë stabile, në përjashtim në katër komunat veriore të vendit ku shihen tendenca për destabilizim.
Po ashtu Musliu shtoi se linçimi dhe presioni është rritë ndaj qytetarëve serb të cilët nuk i binden Listës Serbe në veri të vendit, prandaj ajo tha se si shtet dhe institucione duhet të jenë vigjilent dhe të përgatitur për çdo provokim të situatës në këtë zonë.