Murati: Për veteranët e vërtetë, pensioni 170 euro nuk është i dinjitetshëm

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se duhet të ketë pastrim të listave të veteranëve të luftës, të dallohet kush ka luftuar vërtetë për lirinë e vendit, sepse siç thotë ai fryerja e këtyre listave ka ardhur si pasojë e ndikimit politik.

Murati, ka thënë se ka veteranë që nuk e dinë se ka ndodhur shkëputja e veteranëve prej ligjit bazik qysh nga viti 2017, sepse sipas tij edhe atëherë do të bënin protesta.

I ftuar në Debat Plus, Murati ka thënë se ka veteranë të atillë që në këtë situatë të krijuar janë gjendur si pasojë e mungesës së informacioneve.

Sipas tij, duhet të ketë pastrim të listave, të dallohet vërtetë kush ka luftuar për lirinë e vendit.

“Ne jemi të interesuar, të pastrohen listat fillimisht, dhe të kishte qasje shkencore dhe historike për këtë punë, jo vetëm të lihet në vendimmarrjen e disa personave, që është lënë te politika, dhe janë fryer listat”, ka thënë Murati.

Sipas tij, politika është ajo që ka ndikuar deri më tani të ketë fryerje të listave.

“Per këta veteranët e vërtetë, synimi është të krijojmë vende të reja pune, të mendojmë edhe për gjeneratat e reja, të ju ofrojmë bursa universitare, e jo të ju japim vetëm pensione”, ka thënë Murati./PortaliD