MPJ komenton punësimin e nipit të Sami Lushtakut si konsull

Ditë më parë, në media u raportua për punësimin e nipit të Sami Lushtakut, Festim Lushtaku, si konsull në Stuttgart.

Lidhur me këtë ka folur Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit në Detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

“Ka qenë si asistent aty edhe gjatë kohës që s’kemi qenë ne, këto gjëra nuk i di. Është mirë me u drejtu në zyrën e mediave të MPJ-së. E kemi gjetë ne aty”, ka thënë Zyberaj në Jeta në Kosovë.

 

 

Emisioni Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje në adresë të MPJ-së.

Ndërsa, në përgjigje me shkrim, zyra për medie e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka dhënë detaje mbi punësimin dhe avansimin e Festim Lushtakut.

“z.Festim Lushtaku është punësuar si staf lokal në Konsullatën e Përgjithshme në Shtutgart.
Ai është pranuar në punë përmes konkursit të hapur në kuadër të shërbimit konsullor, qysh në themelim të misionit konsullor në Shtutgart. Konkursi ka shkuar sipas procedurave dhe ligjeve të aplikueshme në atë kohë në Republikën e Kosovës. Dhe, sa i përket kualifikimeve që posedon ai, meqenëse i njëjti është pranuar në punë me konkurs, nënkupton se ka plotësuar edhe kualifikimet adekuate”, thuhet në përgjijgjen e MPJ-së.

Zyra për medie ka thënë se Festim Lushtaku është punuasur në kohën sa MPJ-në e udhëheqte anëtari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

“z.Lushtaku është punësuar më 15 janar 2013, në pozitën e Asistentit Administrativ.
Sa i përket shkollimit të tij, ju rikujtojmë se neni 19 i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm dhe neni 6 i Rregullores për Shërbimin e Jashtëm nuk përcaktojnë nevojën për kualifikim universitar si kriter për pranimin në shërbimin e jashtëm. Në nenin 19 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm përcaktohet se ai/ajo që pranohet në shërbimin e jashtëm duhet të ketë ndër të tjera përgaditje të duhur profesionale. Gjithsesi, ju bëjmë të ditur se tashti, pas vendimit për emërim, z.Lushtaku është në procedurë të dorëzimit të dokumenteve te Zyra e Personelit dhe pasi të kompletohen, ato do të bëhen publike. Në kohën kur z.Lushtaku është punësuar si staf lokal në Shtutgart, ministër i Punëve të Jashtme ishte z.Enver Hoxhaj”, thuhet tutje në përgjigje.

Dikasteri që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli ka shpjeguar edhe avancimin e nipit të Sami Lushtakut.

“z.Lushtaku nuk është avancuar, por ka një vendim për emërim dhe është në procedurë të dorëzimit të dokumenteve.  Ai është emëruar konsull për shkak të përvojës së tij në shërbimet konsullore dhe faktin se i njëjti vetëm ka qenë pjesë e stafit konsullor. Emërimi i tij konsull është bërë vetëm për një mandat 4 vjeçar, dhe i njëjti nuk është pjesë e karrierës në shërbimin e jashtëm. Emërimi i tij është bazuar në nenin 7.11 të LIGJIT Nr. 03/L-207 LIGJIN PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 03/L-044 PËR MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME DHE SHËRBIMIN DIPLOMATIK TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS i cili përcakton se emërimet e konsujve bëhen nga Ministri i Punëve të Jashtme”, thuhet në fund të përgjigjes.

Ndaj lajmit për emërimin e Festim Lushtakut si konsull, kishte reaguar edhe vetë Sami Lushtaku.

“Festimi ka lindur dhe është rritur në Shtutgart të Gjermanisë dhe atje ka kryer shkollimin e lartë. Përveç gjuhës amëtare, flet shkëlqyeshëm gjuhën gjermane dhe angleze. Për shumë vite ka punuar në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Shtutgart, ku është vlerësuar profesionalizmi i tij nga eprorët. Së fundmi, pas një vendimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila i bën politikat në bazë të nevojave të saj, është emëruar konsull në Shqipëri”, kishte shkruar ndër të tjerash ai.