MPB: Në fund të janarit pritet furnizimi me material për pasaporta, leje të vozitjes e letërnjoftime

Në fund të këtij muaji pritet që Kosova të furnizohet me material për pasaporta, leje të vozitjes e për letërnjoftime.

Kështu është thënë për KALLXO.com në një përgjigje nga ana e kësaj ministrie.

“Ministria e Punëve të Brendshme ju njofton se në fund të janarit pritet të filloj furnizimin me material”- është thënë në këtë përgjigje.

Tutje është thënë se kjo ministri shprehë keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës deri në zgjidhjen e kësaj çështje.

Çështja e mungesës së materialit është duke u diskutuar tash e një kohë të gjatë, madje për shkak të kësaj situate, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar afati i pasaportave.

Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane e të cilën e ka siguruar KALLXO.com, ka kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës.

Ai ka kërkuar që shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani të mund të kthehen nga Kosova në Gjermani pavarësisht skadimit të pasaportës kosovare.

Po ashtu, foshnjat e porsapolindura në Gjermani nga prindër me leje qëndrimi në Gjermani, të cilët kanë fluturuar në Kosovë për të marrë pasaportë RKS të paraqiten me këto dokumente: leje qëndrimi e vlefshme gjermane e njërit prej prindërve që udhëton me foshnjën, certifikata gjermane e lindjes së foshnjës, certifikata kosovare e lindjes.

Ministri Sveçla ka kërkuar që këto masa të vlejnë deri në muajin qershor 2023, ose më herët nëse zgjidhet çështja e mungesës së materialit për dokumente identifikuese.

Në fillim të letrës thuhet se fillimisht për shkak të çështjeve të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga mungesa e materialeve si rezultat pandemisë e më pas edhe luftës në Ukrainë, Kosova si shumë vende të tjera janë duke u përballur me mungesë të materialit për dokumente identifikuese.

“Për shkak të kësaj një numër i qytetarëve kosovarë nuk mund të pajisen me pasaporta të reja ose t’i rinovojnë ato me afat të skaduar” – vazhdon letra e cila mban datën 21 dhjetor 2022.

Sveçla ka potencuar në letër se kompania e kontraktuar për furnizim me material për dokumente identifikuese nuk ka qenë në gjendje të sigurojë materialin e nevojshëm.

Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke u përballur me pritje të gjata për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo është shkaktuar si pasojë e mungesës së materialit për prodhimin tyre.

Ai ka thënë se Agjencia e Regjistrimit Civil i kanë dhënë prioritet lëshimit të dokumenteve për kategori me urgjencë që do të thotë, rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimit familjar, rastet e aktiviteteve sportive e diplomacia, pra këto kategori kanë prioritet.

“Për qytetarët tjerë më vjen keq por duhet t`i përshtatemi rrethanave që po jetojmë. Jam duke punua me kompaninë që të furnizojë veten me lëndën e parë dhe pastaj të prodhojë dokumentacion e nevojshëm që me sjellë në Kosovë” – ka shtuar tutje ministri i Punëve të Brendshme.

KALLXO.com në pyetjet që ka nisur për çështjen e furnizimit me material në MPB, ka kërkuar të dijë nëse është marr ndonjë përgjigje edhe për kërkesën që është bërë nga Ministri Sveçla për autoritetet gjermane, për të parë nëse diçka e tillë është marr një përgjigje ose jo.

Por, nga ana e Ministrisë një përgjigje për këtë çështje nuk është dhënë.

Mungesa e materialit, Sveçla kërkon nga Gjermania të lejojë hyrjen e qytetarëve me pasaportë të skaduar