Elbenita Kajtazi

Motra e sopranos Elbenita Kajtazit e demanton ish-konsullin e Kosovës në Hamburg, Gramos Begollin

Motra e sopranos së njohur shqiptare Elbenita Kajtazit, Mërgime Kajtazi ka demantuar ish-konsullin e përgjithshëm në Hamburg Gramos Begollin i cili të mërkurën në emisionin “Kallxo Pernime” ka thënë se nuk kanë mundur të gjejnë kontakt me sopranon Kajtazi.

Përmes një postimi në facebook, Mërgime Kajtazi ka thënë se personalisht ia ka përcjellë numrin e motrës së saj konsullatës në Hamburg, që nga dhjetori i vitit 2019.

“Gramos Begolli dje gënjeu dhe tha që kinse në organizimet e konsullatës në Hamburg (të cilën ai e paska themelu, tash mendon që ka të drejtë personale n’to a ni Zot e din çka) e paska ftua Elbeniten edhe paska marrë një numër ku ajo nuk ka qenë e qasshme. Nuk është e vërtetë, të gjithë e dimë si funksionojnë telefonat edhe çdo thirrje e humbur të vjen në telefon”, ka shkruar ajo në facebook.

Mërgime Kajtazi poashtu ka mohuar të kenë ndonjë lidhje familjarë me ish-konsullin, Gramos Begolli.

“Na jemi te Drenicës edhe absolutisht kurrgjë me Pejë nuk kemi t ‘bëjmë. Po, unë e njoh motrën e Gramosit dhe kaq. Numrin e Elbenites ja kom dhënë “ekipit” të tij në dhjetor të vitit 2019 me lejen e Elbenites bile më ka thënë edhe kur është e lirë me bisedu. Elbeniten nuk e ka kontaktuar kurrë askush as prej konsullatës as prej naj ambasade”, ka shkruar ajo tutje.

Sipas saj, Elbenita Kajtazi përveç që është e qasshme në të gjitha rrjetet sociale, mund të kontaktohet edhe në faqen e menaxhmetit të saj.

Dje në një intervistë në Kallxo Pernime, Grasmos Begolli ka thënë se nuk e kanë ftuar sopranon, Elbenita Kajtazi në eventin për 14 vjetorin e pavarësisë, pasi që sipas tij ajo nuk ka qenë e qasshme.

“Elbenitën e kemi kontaktuar, se përndryshe e Elbenitën e njoh për arsye familjare dhe kolegiale, por nuk kemi mujt me ju qas. Ne e kemi thirr në një numër telefoni që e kemi siguru, por nuk kemi mujt me marrë. Unë nuk i kam kry ato punë, i ka kry stafi dhe i kanë kontaktuar të gjithë ata persona që kanë mujt me ardhë”, ka thënë ai.

Në postimin e gjatë në facebook, Mërgime Kajtazi kritikon institucionet e Kosovës të cilat sipas saj asnjëherë në asnjë ngjarje shtetërore nuk e kanë ftuar motrën e saj, Elbenita Kajtazin e cila është soprano me famë botërore.