Detaje të reja nga incidenti në konsullatën e Kosovës në Hamburg

Ambasada e Kosovës në Gjermani e ka demantuar ish-konsullin e përgjithshëm, Gramos Begollin, i cili kishte deklaruar se nuk ka qenë i njoftuar për vizitën e ministres Donika Gërvalla në Hamburg për 14-vjetorin e pavarësisë.

“Kallxo Përnime” e ka pyetur Ambasadën e Kosovës në Berlin se a ka qenë e njoftuar për vizitën e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Gjermani.

Ambasada ka thënë  që e ka pasur këtë informatë nga kanalet zyrtare dhe që e ka informuar edhe konsullin Begolli lidhur me këtë.

Konsulli i përgjithshëm i shkarkuar në Hamburg, Gramos Begolli, në një intervistë në ‘Kallxo Përnime’,  ka thënë se ministrja Donika Gërvalla ka shkuar pa paralajmërim në konsullatë.

“Ministrja në mënyrë impulsive i hyp aeroplanit dhe aterron në Frankfurt, edhe vjen me një veturë private me Muhamet Idrizin dhe paraqitet para konsullatës. Unë nuk kam dashur ta lëndoj misionin, sepse si shef i misionit kam të drejtë që t’i ftoj organet e vendit, dhe zotëriun në fjalë të mos e lë me hy brenda”, ka thënë ai.

“Ministrja duhet ta respektojë protokollin, ajo më ka urdhëruar që decidivishht të ftohet personi në fjalë. Ka rregulla në diplomaci, si ministër nuk mundesh veç me ardhë”, ka theksuar ai.

Begolli, i cili ishte emëruar konsull i përgjithshëm me çelës politik në kohën e ministrit Behgjet Pacolli, ka akuzuar ministren Gërvalla se ka sjellë në konsullatë Muhamet Idrizin si përkrahës të Listës Guxo.

“Ministrja u vizatu para derës së konsullatës me Muhamet Idrizin dhe dy persona të tjerë, pasi që kanë hy brenda ministrja më ka ftuar në zyrë dhe qasja e ministres ka qenë tendencioze dhe kërcënuese, thotë: Kur të dalim ti duhesh me qeshë, në vendin tënd flet z. Idrizi”. Unë i tregova ministres se kjo nuk është forma e duhur, sepse ajo dëshironte që t’i kërkoja falje”, ka thënë ai.

Mirëpo Idrizi  ka mohuar që është militant i Listës Guxo dhe ka treguar që mësuesit zyrtarë të shtetit gjerman e kanë të ndaluar anëtarësinë në parti politike.

Për këtë çështje është deklaruar edhe zëvendësministrja, Liza Gashi, e cila në “Kallxo Përnime” tha se konsulli Begolli ka tejkaluar kompetencat e tij kur ka dalë në publik pa leje për të folur për akuzat që ka pasur.

“Ai ka tejkaluar kompetencat që i takojnë si shef i konsullatës, ai nuk e ka eprore direkte ministren, por epror ka ambasadorin Faruk Ajetin. Z. Begolli për me mbërri në ministri kalon përmes ambasadorit në vendin pritës, për çdo lëvizje të diplomatëve por edhe konsujve të përgjithshme jashtë vendit, sidomos kur ata ngelin në nivel të akuzave karshi ministrisë dhe udhëzimeve që i ofron ministria ata ta kërkojnë një aprovim, pëlqim për me folë për temën”, tha ajo.

Të ftuar në emision janë: Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ariana Musliu-Shoshi, deputete e Komisionit për Punë të Jashtme nga PDK, Muhamet Idrizi, kryetar i shoqatës “ODA” në Hamburg dhe Bekim Baliqi, profesor i Shkencave Politike në UP.