Sopranoja Elbenita Kajtazi rrëfen se përse u zhgënjye nga profesorët e Fakultetit të Muzikës në Prishtinë

Sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi gjatë muajit qershor arriti ta përfaqësojë Kosovën për herë të parë në skenën botërore të konkursit të operës “BBC Cardiff of the World”.

Elbenita Kajtazi ka lindur në Skenderaj dhe është rritur në Mitrovicë.

Studimet për këndim i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka tetë vite që jeton në Hamburg të Gjermanisë.

Ajo në një intervistë për “Kallxo Pernime” rrëfen se në aspektin profesional u largua nga Kosova tërësisht e papërgatitur për në Gjermani.

Lidhur më këtë ajo thotë se u zhgënjye nga profesorët e Fakultetit të Muzikës.

“Nga Mitrovica për studime në Prishtinë kam ardhë me pritshmëri shumë të mëdha. Në shkollën e mesme të muzikës në Mitrovicë ka qenë një nivel i mrekullueshëm. Kam mësu prej Linditës, Afrimit e profesorëve tjerë që na kanë përgatit me ardhë me studiu në Prishtinë. Kam mëndu që ka me qenë shumë ma vështirë. Fatkeqësisht nuk kam has në atë gjë në Akademinë e Arteve. Ka pasur momente që profesorët nuk kanë ardhë hiç në ligjërata, ose kanë dhanë një lëndë që nuk kanë qenë hiç adekuat dhe na kemi përfundu tu mos mësu kurrgjë. Në Gjermani kam shku e papërgatitur përveç asaj një talenti dhe zëri që kam pasë bagazh tjetër nuk kam pasë. Më kanë thënë krejt atje që nuk jam e përgatitur, e kanë pa krejt që po du shumë me mësu. Prandaj më kanë marrë shumë të re në Berlin dhe më kanë trajnu. Nuk mundesh me thanë që ke një diplomë bachelor dhe ke këndu për diçka që nuk ki informacion, sepse nuk kanë tregu”, ka thënë ajo.