Mitrovicë, nis gjykimi i të pandehurës për kërcënimin e një burri në motel

Sot në Gjykatën e Mitrovicës ka filluar gjykimi ndaj të pandehurës N.N., e akuzuar për kanosje ndaj një burri.

Sipas akuzës së Prokurorisë, në shkurt të vitit 2017 në një motel në Mitrovicë e pandehura të dëmtuarin M.M. e kishte kanosur me fjalë dhe me pistoletë në dorë.

Akuza thotë se e pandehura i kishte thënë të dëmtuarit derisa kishte armën në dorë: “Thirre babën tënd dhe babën tim dhe thuaju që jemi prapë bashkë”. Dhe kur punëtori i motelit ka trokitur në derë në atë moment i dëmtuari ka arritur që t’ia marrë armën prej dorës. Sipas Prokurorisë, kjo situatë tek ai ka shkaktuar një frikë të madhe dhe shqetësim.

Me këtë e pandehura akuzohet se ka kryer veprën penale -kanosje.

Lidhur me këtë rast sot në Gjykatën e Mitrovicës ka filluar gjykimi ndaj të pandehurës.

E pandehura N.N. është deklaruar e pafajshme para Gjykatës lidhur me akuzat e Prokurorisë.

Pas kësaj gjyqtari i rastit Nikolla Petronijeviq e ka njoftuar mbrojtësen e të pandehurës avokaten Kada Bunjaku Perquku dhe vetë të pandehurën se në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve mund të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me akuzën.

Gjithashtu avokatja Bunjaku-Perquku ka kërkuar nga Gjykata që të mbrohet identiteti i të pandehurës.

Gjyqtari Petronijeviq ka aprovuar kërkesën e avokates me ç’rast edhe mbrohet identiteti i të akuzuarës në këtë rast.