Mitrovicë, inspektorët ia largojnë një qendre tregtare mijëra litra vaj nga raftet, nuk paraqiti dokumentacion për origjinën

Mbi 3 mijë litra vaj i janë hequr nga raftet një qendre tregtare në Mitrovicë pasi kjo qendër nuk ka paraqitur dokumentacion që dëshmon origjinën e produktit.

Valon Brahimi, drejtor i Inspektoratit në Mitrovicë tha për KALLXO.com se në rast se deri nesër qendra tregtare nuk do të paraqesë dokumentacionin, produktet do të konfiskohen.

Brahimi ka bërë të ditur se në të njëjtën qendër tregtare sot kanë hasur në rritje të çmimit të vajit në 3.49 euro.

“Në një rast inspektorët komunal të tregut gjatë inspektimit të një operatori ekonomik (Qendër tregtare)  kanë hasur në çmime të larta të litrit të vajit ushqimor rreth 3.49 euro, dhe përveç kësaj kanë detyruar operatorin ekonomik në fjalë që rreth 3471 litra vaj në  vlerë prej 12113.89 për t’i  larguar nga raftet e shitjes në mungesë të dokumentacionit të origjinës! Operatorit ekonomik është obliguar që deri nesër t’i përcjell dëshmitë, dokumentacioni që dëshmon për origjinën e mallit në të kundërtën i njejti do të konfiskohet konform rregullativës ligjore në fuqi”, ka shkruar Brahimi.

 

Edhe Komuna e Skenderajt ka njoftuar se ka gjobitur me 1 mijë euro një qendër tregtare për ngritje të çmimit të vajit.

Ndërkaq Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka thënë se do të ndërmarrin masa ligjore ndaj të gjithë atyre që kanë vënë çmime të padrejta.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se shumë markete mbrëmë kanë larguar nga raftet vajin bimor duke krijuar përshtypjen se nuk ka. Ndërsa sot duke e shitur me çmim prej 3.49 euro.