Çmimi i vajit ushqimor, 10.03.2022/ Foto: KALLXO.com.

Zyra e Kryeprokurorit: Do të ndërmarrim veprime ligjore ndaj atyre që vënë çmime të padrejta

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj bizneseve të cilat kanë vënë çmime të padrejta të shitjes së artikujve ushqimorë.

Në njoftim thuhet se kryerja e një vepre të tillë është e dënueshme me gjobë dhe burg.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Disa nga produktet që kanë rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.

Vendosja e çmimeve të njëjta, për të njëjtin produkt të brendeve të ndryshme, paraqet marrëveshje dhe është e ndaluar me ligj.Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar masa për marketet që, sipas tij, po rrisin artificialisht çmimin e vajit dhe të produkteve në përgjithësi.

Pasi vizitoi një fabrikë të vajit në Gjilan, Kurti tha se inspektorët janë duke i dokumentuar shkeljet që po ndodhin me çmime.

Paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve nga bizneset dënohet me burg