Mishi i rosës nga Kosova do të eksportohet në vendet e Bashkimit Europian

Prodhuesit e ushqimit, përkatësisht produkteve shtazore në Kosovë, tash e tutje do të mund të zgjerojnë tregun e shitjes së tyre edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo pasi që Komisioni Evropian ka vendosur që Kosova të përfshihet në listën e vendeve të treta me të drejtë eksporti për produktet ushqimore me origjinë shtazore në vendet e BE.

“Më datë 9 korrik 2020 në gazetën zyrtare të  Bashkimit Evropian L 220/5, është publikuar vendimi për përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve të treta me të drejtë eksporti për produktet ushqimore me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në vendim.

Lamir Thaçi nga Agjensia e Ushqimit dhe Veterinës ka thënë për KALLXO.com se një vendim i tillë ka qenë i mirëpritur.

“ Auditimi i Komisionit Evropian për AUV-in ka ardhur si rezultat i kërkesës së një biznesi që në fakt iu ka drejtu BE-së që të ju lejohet eksporti. Nga kjo u auditu Agjensia dhe u akreditu biznesi. Relativisht ka qenë një proces bukur i gjatë”, ka thënë ai.

Kompania, “Wengfat Pultry” nga Skenderaji, e cila merret me prodhimin e mishit të rosës, ka thënë për KALLXO.com se një kerkesë e tillë është bërë që në vitin 2016.

Avdi Tahiraj, njëri nga aksionarët e këtij biznesi ka theksuar se si shkak i pandemisë, eksporti duhet të mirë planifikohet.

Ai ka shtuar se biznesi i tyre është i orentuar për nga mishi i shpezëve përkatisisht rosës, e që lënda e parë vie nga Holanda.

“ Të shikojmë situatën së shpejti besoi që do të fillojmë ( eksportin) po për shkak të pandemisë duhet të cakohet përiudha kur do të fillojmë. Rrethanat kanë qenë të mundimshme me të vertetë se kemi besuar që zgjat kaq gjatë por sidoqoftë është një projekt i mirëseardhur”, ka thënë Tahiraj.