Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Miratohet projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Adnan Rrustemi, kryetar i komisionit për legjislacion tha se komisioni i rekomandon seancës që të miratohet projektligji pa amandamente.

Hajdar Beqa deputet i PDK-së, ka ftuar deputetët të votojnë për këtë projektligj pasi sipas tij nuk ka pas ndonjë ndryshim pos një kërkese nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Projektligji nuk ka pas ndonjë ndryshim. Është një ligj që nga vetë emri ka të bëjë me përgjegjësi disiplinore”, tha Beqa.

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, doli në foltore për ta falënderuar deputetin Beqa.

“E falënderoj deputetin Beqa në konstruktivi tetin e votimit të këtij ligji”, tha ajo.

E Beqa tregoi se deri tani në komisionin për legjislacion kanë kaluar vetëm dy ligje të cilat sipas tij që të dyja janë vetëm ndryshime.

“Kur ka qenë plani legjislativ për 2021 kom than është plan ambicioz. Deri më tani edhe pse kanë kalu në muajin e 10, vetëm dy ligje komisioni i ka votu këtu. Fatkeqësisht dy ligjet janë ndryshime njëra në kodin e procedurës penale e njëri sot”, tha Beqa duke shtuar se çdo gjë që është e mirë e përkrah.

Konjufca uroi që “kjo frymë e bukur e konstruktive të vazhdoj jo vetëm për çështje kaq të thjeshta si kjo”.

Ndryshe, ky ligj përcakton shkeljet disiplinore, procedurat për fillimin e hetimeve për dyshimet për shkelje disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, procedurat disiplinore pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, sanksionet disiplinore dhe mjetet juridike që lidhen me shkeljet disiplinore pranë Gjykatës Supreme.