Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu

Ministrja Haxhiu thotë se Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk janë imunë ndaj kontrollimit të pasurisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se as ish-presidenti Hashim Thaçi e as ish-kryeparlamentarti Kadri Veseli nuk janë imunë nga kontrollimi i pasurisë.

“Problemet me Thaçin e Veselin i kemi të pasluftës, ato lidhen kryesisht me dëmet përmes projekteve politike, mirëpo edhe për shumë skandale edhe korruptive. Askush nuk është imun nga kontrollimi i pasurisë, edhe unë, edhe ata (Thaçi e Veseli) edhe të gjithë”, ka thënë Haxhiu në një intervistë në Kanal 10.

Ministrja Haxhiu ka thënë se Kosova duhet t’i fuqizojë institucionet që merren me pasuritë e politikanëve të cilat nuk mund t’i justifikojnë.

“Kosova është vend i vogël edhe nëse jo ne, të tjerët mund ta dinë, kush dhe si ka para dhe pas luftës. Ne jemi të interesuar t’i fuqizojmë institucionet tona dhe të krijojmë institucione të reja nëse është nevoja siç po bëjmë me projektligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ku jo vetëm pasuria e që kanë qenë në pushtet deri më tani, por pasuria e të gjithëve do të verifikohet”, ka thënë ajo.

Ministrja Haxhiu ka folur për rolin që do ta ketë Byroja shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Në momentin kur institucioni do të themelohet nga Kuvendi, pra kur fillon puna e tij, në rastet kur shohin se një zyrtar ka pasuri në shpërputhje me të ardhurat që i ka, sepse duhet me theksu faktin që me 1,200 me 1,500 euro qoftë të presidentit apo kryeministrit, nuk mund të bëhesh as milioner e as të kesh pallate gjithandej e as të keshë biznese. Në Kosovë është keqpërdorur pozicioni që kanë pasur zyrtarë të ndryshëm dhe janë pasuruar në kurriz të qytetarëve”, ka theksuar ajo.

Projekligji për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është miratuar në Qeveri në dhjetor të vitit të kaluar.

Qëllimi i këtij Projektligji është rregullimi i procedurës së verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, si dhe themelimi, organizimi dhe kompetencat e Byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas Projektligjit procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë do të përfshijë pasurinë e zyrtarëve nga data 17 shkurt 2008, si dhe do të vlejë edhe 10 vjet pasi personi zyrtar të pushojë së ushtruari funksionin e tij.

Organi kompetent për verifikimin e pasurisë është Byroja si institucion i pavarur që ka cilësinë e personit juridik dhe kompetencën për të dërguar në gjykatë propozimin për konfiskimin e përhershëm të pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas këtij Projektligji pasuri e pajustifikueshme është pasuria e fituar e cila nuk është në përputhje me të hyrat ligjore të një zyrtari.

Cak i Byrosë Shtetërore për konfiskim do të jetë pasuria e pajustifikueshme mbi 25 mijë euro