Cak i Byrosë Shtetërore për konfiskim do të jetë pasuria e pajustifikueshme mbi 25 mijë euro

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës me vota unanime miratoi projektligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i procedurës së verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, si dhe themelimi, organizimi dhe kompetencat e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sipas projektligjit procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë do të përfshijë pasurinë e zyrtarëve nga data 17 shkurt 2008, si dhe do të vlejë edhe 10 vjet pasi personi zyrtar të pushojë së ushtruari funksionin e tij.

Organi kompetent për verifikimin e pasurisë është Byroja si institucion i pavarur që ka cilësinë e personit juridik dhe kompetencën për të dërguar në gjykatë propozimin për konfiskimin e përhershëm të pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas këtij projektligji pasuri e pajustifikueshme është pasuria e fituar e cila nuk është në përputhje me të hyrat ligjore të një zyrtari.

Shpërputhja në mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh është bazë për zyrtarin e Byrosë të dërgojë propozimin për konfiskimin e pasurisë.

Kompetencat e Byrosë Shtetërore sipas këtij projektligji janë fillimi dhe zhvillimi i procedurës së verifikimit të pasurisë, dërgimi i propozimit në Gjykatë për konfiskimin e përhershëm të pasurisë, mbledhja e informacioneve, mbajtja e analizave, përpilimi i raporteve dhe raportimi para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas projektligjit propozimi dërgohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin Special.

Procedurën për shqyrtimin e propozimit të verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë e zhvillon gjyqtari i vetëm gjykues në shkallë të parë.

Varësisht nga rrjedha e seancës gjyqësore, gjyqtari i vetëm gjykues merr aktgjykim me të cilin pranon propozimin për konfiskimin e plotë të pasurisë së pajustifikueshme, për konfiskimin e pjesshëm të pasurisë deri në masën e pajustifikueshmërisë ose refuzon propozimin si pabazuar kur vërteton justfikueshmërinë e prejardhjes së pasurisë.

Sipas projektligjit shkaqet për refuzimin e propozimit për konfiskimin e pasurisë janë: propozimi për konfiskim përfshinë pasurinë verifikimi i së cilës nuk lejohet sipas ligjit, kur propozimi është i pasafatshëm, kur shpërputhja e pasurisë nuk tejkalon shumën 25 mijë euro, kur nga provat e shqyrtuara provohet se pasuria është fituar me mirëbesim nga personat e tretë.

Projektligji parasheh se kur nuk është i mundur konsfiskimi i pasurisë për shkak të asgjësimit apo tjetërsimit atëherë do të konfiskohet vlera zëvendësuese.

Pasuria e pajustifikueshme për konfiskim përfshinë: pasurinë personale të personit që është nën shqyrtim, pasurinë e fituar bashkërisht nga të dy bashkëshortët ose nga bashkëjetuesit, pasurinë e fëmijëve që nuk e kanë arritur moshën madhore, dhe pasurinë e bashkëshortit së personit që është nën shqyrtim.

Ndaj aktgjykimit me të cilin është urdhëruar konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme mund të parashtrohet ankesa si mjet i rregullt juridik dhe mjetet e jashtëzakoshme juridike revizioni dhe kërkesa për përsëritjen e procedurës.

Ekzekutimi i aktgjykimit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikushme bëhet sipas rregullave të procedurës përmbairmore nga gjykata e shkallës së parë e cila e ka aktgjykimin.

Pasuria e konfiskuar sipas këtij Ligji do të administrohet nga Agjencia përkatëse për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

Sipas nenit 63 të këtij projeketligji nga pasuria që konfiskohet fillimisht përmbushen kërkesat që janë siguruar me anë të pasurisë së konfiskuar, pastaj përmbushen detyrimet ndaj pagesave të tatimeve që pala është në detyrim për pagesën e tatimeve, dhe pjesa e mbetur e pasurisë se konfiskuar i bartet në pronësi Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Më 13 dhjetor në emisionin KALLXO përnime është diskutuar për nevojën dhe funksionimin e këtij institucioni në Kosovë.

Lyra Çela nga Ministria e Drejtësisë ka thënë se kjo byro do të jetë një instrument komplementar në sistemin ekzistues ligjor për konfiskimin përmes një procedure civile të pasurisë të pajustifikueshme.

Ndërsa  sipas Labinot Leposhtica nga KALLXO.com, i cili është jurist dhe mbikëqyrës i monitorimit të gjykatave, Kosova ka dy mekanizma që ndihmojnë në konfiskimin e pasurisë: Ligjin mbi kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë dhe Kodi i Procedurës Penale,

Mirëpo, sipas tij, këto mekanizma nuk kanë ndihmuar në konfiskim të pasurisë.

“Deri më tani pothuajse në tërësi ka dështuar si proces konfiskimi i pasurisë”, ka shtuar ai.

Leposhtica ka thënë se këtij Projektligji nuk do të duhej t’i frikësohej askush.

Ai ka shpjeguar se ky ligj kompetencat ia jep Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, që sipas Leposhticës, deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të korrupsionit.

“Sipas projektligjit është paraparë që kompetent të jetë Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë. […] Ky Departament është mekanizëm relativisht i ri, […] nuk më vjen ndërmend ndonjë rast i korrupsionit në këtë Departament”, ka thënë ai.

Qeveria miratoi projekt Kodin Civil