Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu viziton ekspozitën “Reporting House” në Prishtinë Foto: KALLXO.com/ 11.06.2024

Ministrja Haxhiu e quan punë të jashtëzakonshme ekspozitën “Reporting House”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të jashtëzakonshme ekspozitën “Reporting House” pasi që vizitoi atë sot më 11.06.2024.

“Sot, vizitova Reporting House për të parë nga afër punën sa të shpejtë aq edhe të jashtëzakonshme të ekipit të prirë nga gazetarja Jeta Xharra, që pasqyron përmes raportimit të gazetarëve, artistëve, mediave vendore e ndërkombëtare, historinë, vuajtjet, krimet e gjithçka tjetër para dhe gjatë luftës së para 25 viteve në Kosovë” – ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook krahas disa fotografive nga vizita.

Kjo ekspozitë, Haxhiu thotë se ishte kthim në kohë e rikujtim i momenteve sa të rënda aq edhe krenare të popullit të Kosovës.

Ministrja thotë se dokumentimi i krimeve të luftës, prezantimi e shpalosja e tyre mbeten përgjegjësi e detyrë e brezave që mbijetuan nga lufta e jetuan lirinë nga sakrifica e atyre që ranë për të.

“Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve” u hap zyrtarisht dje më 10.06.2024, në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV (NHK, TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV spanjoll) dhe Frontline Television News.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ambasadorë të vendeve mike e udhëheqës misionesh ndërkombëtare në Kosovë.