Ministrja Hajdari: Tarifa 100% ndikoi në rënien e eksportit nga Kosova

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari një ditë pas heqjes së pjesërishme të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, ka thënë se ndikimi i saj në realitetin ekonomik në Kosovë nuk ka qenë  siç ishte pritur.

“Ne të gjithë kemi përkrahur më herët këtë tarifë, por realiteti është ndryshe. Ndonëse tarifën e mirëpritëm, ndikimi i saj i saj në realitetin ekonomik në Kosovë nuk ka qenë siç ishte pritur. Kjo për faktin e mekanizmave zbatues, monitories dhe kontrollues të dobët në kohën kur ishte aplikuar”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Sipas ministres, ndryshimet në zvogëlimin e importit tregojnë qartazi efektet e tarifës 100 për qind.

Ajo shtoi se statistikat tregojnë për rënie të eksporteve të Kosovës në drejtim të CEFTA-s, respektivisht në raport me Serbinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën.

“Prandaj Qeveria e Kosovës po dëshmon se është e përkushtuar për ruajtjen dhe fuqizimin e më tejshëm të raporteve me aleatët kyc ndërkombëtar të Kosovës kjo për faktin se si rezultat i vendimit të marr ditën e djeshme qeveria hoqi tarifën për të gjitha lëndet e para që importohen nga Serbia e që është rreth 15 për qind e 450 milionë euro total të imortit të Serbisë në Kosovë”, tha Hajdari.

Ministrja shtoi se lënda e parë për bizneset vendore ishte e domosdoshme, respektivisht në produktet e industrisë ushqimore dhe ndërtimore.

“Importi i lëndës së parë ishte esencial për prodhuesit vendor”, theksoi ajo.

Hajdari tha se presin nga aleatët ndërkombëtar të bëjnë presion ndaj Serbisë për heqjen e barrierave.

“Presim nga aleatët ndërkombëtar të bëjnë presion tek Serbia në drejtim të eliminimit të plotë të barrierave jo tarifore të aplikuara ndaj kompanive kosovare si dhe të ndalë menjëherë veprimin agresiv të çnjohjeve për Kosovën”, shtoi ajo.

Ministrja mes tjerash tha se Kosova vazhdon të ballafaqohet me deficit tregtar gjithnjë më të madh në vendet e CEFTA-s.

Kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim për heqjen e tarifës për lëndën e parë që nga sot ndërsa pritet që deri më 1 prill tarifa të zëvendësohet me masa të reciprocitetit.