Seanca ndaj ministers Gërvalla – FOTO: Aulona Alaj – KALLXO – 20.06.2023

Ministrja Gërvalla në bankën e të akuzuarës, dështon seanca e sotme

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është ulur sot në bankën e të akuzuarës në Gjykatën e Prishtinës. Ministrja Gërvalla po akuzohet nga Prokuroria për mosdeklarim të pasurisë, aktakuzë e cila u ngrit më datë 31 janar të këtij viti.

Seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë të mbahej sot, dështoi për arsye se e akuzuara Gërvalla nuk ka angazhuar avokat.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, në akuzat që përkojnë me veprat penale që i ngarkohen edhe Gërvallës, mbrojtja është e detyrueshme.

E njëjta ka deklaruar se nuk ka angazhuar avokat dhe nuk ka nevojë për një të tillë.

Lidhur me këtë gjyqtari i rastit, Adnan Kamberi, e njoftoi të akuzuarën se mbrojtja është e detyrueshme dhe nëse e njëjta nuk e autorizon avokatin mbetet detyrë e gjykatës që të i caktojë një avokat sipas detyrës zyrtare.

Aktakuza ndaj Gërvallës është ngritur për mosdeklarim të pasurisë më 31 janar të këtij viti.

Lidhur me akuzat reagim ka dhënë e akuzuara Gërvalla.

Përmes Facebook-ut kishte reaguar vetë zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla.

“Prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngritur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”. Çfarë rastësie!” – tha Gërvalla.

Tutje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pati thënë se kjo është një fushatë ndaj saj.

“Në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021. Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë” – kishte thënë ajo.

Aktakuzë ndaj ministres Donika Gërvalla për mosdeklarim të pasurisë