Aktakuzë ndaj ministres Donika Gërvalla për mosdeklarim të pasurisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministresministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Aktakuza ndaj Gërvallës është ngritë për mosdeklarim të pasurisë më 31 janar të këtij viti.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Ndërsa, përmes Facebook-ut ka reaguar vetë zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla.

“Prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngitur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”. Çfarë rastësie!” – tha Gërvalla.

Tutje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se kjo është një fushatë ndaj saj.

“Në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021. Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë” – tha ajo.

“Qytetari i Republikës së Kosovës na njeh të gjithëve. Edhe neve, edhe ata. Na njeh kaq mirë, sa fushatat e tilla nuk pijnë ujë” – deklaroi ajo.

Donika Gërvalla nuk është e vetmja ministre e Qeverisë së Kosovës që ka aktakuzë për mosdeklarim të pasurisë.

Në fund të vitit të kaluar, ministrja Rozeta Hajdari u dënua nga Gjykata e Prishtinës për mosdeklarim të pasurisë.

Rozeta Hajdari shpallet fajtore nga Gjykata për mosdeklarimin e pasurisë