Ministrja e Arsimit bën thirrje të ndërpritet greva në arsim

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje edhe një herë mësimdhënësve që të fillojnë procesin mësimor në shkolla. Përmes një reagimi në Facebook, Nagavci tha se janë të gatshëm për dialog konstruktiv me sindikatat.

Ajo e quajti grevën ‘hap ekstrem’ dhe sipas saj, nuk ka kurrfarë arsyeshmërie që ajo të vazhdojë në kushtet kur Qeveria ka bërë hapa.

“Greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat” – ka shkruar ajo.

Ministrja ka kërkuar nga kryesia e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit që të reflektojë për situatën e krijuar.

“Si Ministre, punonjëse e arsimit dhe qytetare e këtij vendi kërkoj nga kryesia e SBAShK-ut që të reflektojë për situatën e krijuar dhe, bashkë me përfaqësuesit e degëve komunale, ta ftojë anëtarësinë e vet për t’iu kthyer punës, në mënyrë që të krijojmë atmosferë për vazhdimin e dialogut konstruktiv, që është parakusht për zgjidhjen e problemeve komplekse në sektorin e arsimit”, thuhet në postimin e Nagavcit.

Viti i ri shkollor 2022/2023, i cili parashihej të niste më 1 shtator, për shkak të grevave nuk ka nisur ende.

Postimi i plotë i Arbërie Nagavci:

Është viti i tretë radhazi që java e dytë e shtatorit i gjen nxënësit në shtëpi. Në dy vitet e kaluara kjo ndodhi për shkak të pandemisë, e cila çrregulloi edhe procesin edukativo-arsimor, duke shkaktuar humbje të mëdha mësimore. Ndërkaq, këtë vit vonesa po ndodhë për arsye që lehtësisht kanë mundur të shmangen, e që kanë rezultuar me humbjen e rreth 580 mijë orëve të mësimit në 7 ditët e grevës së organizuar nga BSPK dhe SBAShK.
Greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat.
Paralajmërimet për kushtëzimin e dialogut të mëtutjeshëm, si dhe ato për moszëvendësimin e orëve të humbura, vetëm sa e ndërlikojnë situatën. Me këtë rast, më duhet të rikujtoj se Kalendarin shkollor e nxjerrë MAShTI, e jo sindikatat, ndërsa të njëjtit duhet t’i përmbahen si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit dhe prindërit.
Si Ministre, punonjëse e arsimit dhe qytetare e këtij vendi kërkoj nga kryesia e SBAShK-ut që të reflektojë për situatën e krijuar dhe, bashkë me përfaqësuesit e degëve komunale, ta ftojë anëtarësinë e vet për t’iu kthyer punës, në mënyrë që të krijojmë atmosferë për vazhdimin e dialogut konstruktiv, që është parakusht për zgjidhjen e problemeve komplekse në sektorin e arsimit.
Arsimi, në radhë të parë, është çështje e përmbajtjes dhe cilësisë, për të cilën e kemi obligim që të punojmë të gjithë bashkë dhe të sigurojmë të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.