Ministria e Ekonomisë tregon detajet për projektin e investimit në bateri për ruajtjen e energjisë

Ministria e Ekonomisë ka dhënë detaje se çfarë përfshinë programi Kompakt sipas të cilit Qeveria e Kosovës në bashkëfinancim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës synon të investojë në bateri për ruajtjen e energjisë që do të shfrytëzohet nga KOSTT-i, në rastet e rënies së njësive të termocentraleve për balancim të sistemit të energjisë.

Sipas njoftimit të ministrisë, programi Kompakt do të jetë në vlerë prej 234 milionë dollarëve dhe do të përfshijë dy projekte: rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 Mwh) dhe zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë.

Tutje sipas njoftimit, Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.

“Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe shpenzimit. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë”, thuhet në njoftimin për media të ministrisë.

Tutje ministria sqaron se bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës apo të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Ndërsa projekti i dytë në kuadër të programit kompakt do të përfshi dy aktivitetem, i pari zhvillimin e fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC.

Kurse në aktivitetin e dytë është paraparë që fuqia punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë, do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë; bursat për studime universitare në fushën e energjisë të dedikuara për gra, mbështetje e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji, rritja e ndërmarrësisë së grave dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

“Investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe gjatë përfundimit të fazës zhvillimore dhe negociatat me partnerët tanë nga MCC, do të njoftojmë publikun për zhvillimet dhe detajet përfundimtarë të projektit”, thuhet tutje në njoftim.

Qeveria e Kosovës synon që në bashkëfinancim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të investojë në bateri për ruajtjen e energjisë që do të shfrytëzohet nga KOSTT-i në rastet e rënies së njësive të termocentraleve për balancim të sistemit të energjisë.

Ky projekt do të realizohet në kuadër të programit “Kompakt” të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), agjenci e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot e ka miratuar nismën e Ministrisë së Financave për negocim të Marrëveshjes së Bashkëfinancimit me Shteteve të Bashkuara të Amerikës të përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.

Paratë e amerikanëve do të investohen në bateri për ruajtjen e energjisë