Çertifikimi i 40 auditorëve të energjisë nga UP, foto: UP/Facebook

UP certifikoi 40 auditorë të energjisë

40 auditorë të energjisë, të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin  në fushën e auditimit të energjisë, janë certifikuar në një ceremoni të veçantë nga Universiteti i Prishtinës përmes Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ).

Sipas UP, ky trajnim siguron një hap të rëndësishëm për të përmirësuar aftësitë profesionale të auditorëve të energjisë dhe për të siguruar një mënyrë më efikase për të menaxhuar burimet energjetike.

Në ceremoni ishin të pranishëm rektori i UP-së, Qerim Qerimi dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

Ky sukses i auditorëve të energjisë u vlerësua nga rektori Qerimi, pasi sipas tij, paraqet një dëshmi të lidhjes mes universitetit dhe nevojave të tregut.

“Ai theksoi se ky trajnim paraqet një mundësi të rëndësishme për profesionalizimin e sektorit të energjisë dhe për të promovuar një përdorim më efikas të burimeve të energjisë, si dhe një dëshmi e lidhjes që mund të krijohet ndërmjet universitetit dhe industrisë e nevojave të tregut” – thuhet në njoftimin e UP-së.

Kurse, zëvendësministri Mjeku ka theksuar rëndësinë e këtij trajnimi dhe angazhimit të auditorëve të energjisë në promovimin e efikasitetit të energjisë dhe reduktimit të ndikimit të dëmshëm në mjedis. 

“Ai gjithashtu inkurajoi të gjithë të diplomuarit të vazhdojnë të kontribuojnë në fushën e energjisë së qëndrueshme dhe të përkrahin transformimin energjetik të Republikës së Kosovës” – njofton UP.

Si përfundim, Uuniversiteti thekson se iniciativat e tilla për forcimin e kapaciteteve në fushën e energjisë vazhdojnë të jenë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe për të adresuar sfidat e mjedisit në Kosovë.