Hapen ofertat e ankandit të parë solar fotovoltaik prej 100 MW, Foto: Ministria e Ekonomisë

Hapen ofertat e ankandit të parë solar fotovoltaik prej 100 MW, ofertojnë kompani nga vende të ndryshme të botës

Ministria e Ekonomisë sot ka hapur ofertat e ankandit të parë solar fotovoltaik (FV) prej 100 MW, në të cilin janë bërë publik emrat e 6 kompanive dhe konsorciumeve që kanë dorëzuar ofertat.

Kompanitë dhe konsorciumet që kanë ofertuar janë: konsorciumi “Çalik-Limak” nga Turqia, kompania “Notus Energy Kosovo” nga Gjermania, përfaqësia në Kosovë – kompania “Akuo Energy SAS” nga Franca, kompania “Elswedy Electric” nga Egjipti, konsorciumi “Guris Insaat Muhendishik” nga Turqia, si dhe konsorciumi “Orllati” nga Zvicra – përfaqësia në Kosovë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se është zhvilluar një proces i drejtë konkurrues me transparencë të plotë.

“Lirisht është një shembull për rajonin”- deklaroi ministrja Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli shtoi se ky është vetëm projekti i parë në vazhdën e projekteve në dy vite.

“Në vijim planifikohet të zhvillohen procedura konkurruese për ndërtimin e kapaciteteve të burimeve të ripërtërishme prej 950 megavatë, të cilat kapin vlerën prej 1.2 miliard euro” – vazhdoi ajo.

Gjatë këtij viti, ministrja Rizvanolli tha se do të lansohet ankandi prej 150 megavatëve të erës.

Ankandi është mbyllur më 31 janar 2024 në ora 14:00, në të cilin janë pranuar 6 oferta. Ndërsa për tri ditë, nga 31 janari deri më sot, në ora 14:00, ishte afati për pranimin e ofertave të mundshme përmes postës.