Ministri Sveçla pas protestës së FIT-it: Të ardhurat mesatare mujore i kanë mbi 2 mijë e 200 euro

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas protestës së pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese (FIT) të Policisë së Kosovës, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë me shtesat e rrezikshmërisë, pagën, por edhe shtesat e tjera.

Sveçla ka thënë se Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

Ndërsa ka shtuar se të ardhurat mesatare mujore janë mbi 2 mijë e 200 euro.

Sipas tij, në marrje të mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i ka gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jocilësor.

“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”- ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla tutje ka thënë se nga marrja e mandatit kanë rritur buxhetin për mbi 30 për qind për Policinë.

“Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro”- ka shtuar ai.

Përmes një proteste, Njësiti FIT i Policisë së Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që propozimin për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikojnë edhe një herë.

Kërkesat e këtij Njësiti janë që të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës; si dhe shtesat për kushte specifike të punës.

Një pjesëtar i këtij Njësiti lexoi një deklaratë para gazetarëve gjatë protestës që u mbajt para Qeverisë së Kosovës.

“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme dhe nuk përfaqsohemi nga askush. Kërkojmë mirëkuptim dhe nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka që 10 vite që kemi marrë premtime për benefite të cilat na takojnë, mirëpo deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar”- është thënë në protestë.

Këto janë kërkesat e njësitit FIT të Policisë së Kosovës drejtuar kryeministrit Albin Kurti