Ministri i Shëndetësisë kërkon nga institucionet shëndetësore të jenë të gatshme për t’u ballafaqur me zhvillimet e situatës me COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka kërkuar nga klinikat e QKUK-së dhe institucionet e tjera shëndetësore të jenë të gatshme për t’u ballafaquar me çfarëdo zhvillimi të situatës epidemiologjike me COVID-19.

Këtë kërkesë ai e ka bërë gjatë vizitës në disa prej klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Gjatë kësaj vizite u vlerësua se numri në rritje i rasteve me COVID-19 mund të rris edhe numrin e pacientëve që kërkojnë trajtim spitalor, për çka të gjitha shërbimet duhet të jenë të gatshme.

Latifi gjatë kësaj vizite ka kërkuar profesionistëve shëndetësorë që të vaksinohen plotësisht, përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shendëtësisë, Latifi vizitoi së pari Klinikën Infektive ku nga drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe drejtori i Infektivës, Arben Vishaj u njoftu për gjendjen aktuale sa u përket kapaciteteve për trajtimin e pacientëve me COVID-19 si dhe mobilizimin e shërbimeve të tjera.

Ministri Latifi vizitoi edhe Klinikën Emergjente ku nga personeli aty është njoftuar me punën që bëhet, triazhimin dhe trajtimin e rasteve në këtë klinikë, për të vazhduar pastaj me vizitë në Klinikën e Kardiologjisë.

Ai vizitoi edhe Klinikën e Pulmologjisë ku aktualisht janë duke u trajtuar disa pacientë post-COVID dhe është informuar për punën që është bërë aty gjatë pandemisë, por edhe për trajtimin e patologjive të tjera, përveç COVID-19, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Gjithashtu, Latifi u ka bërë thirrje edhe popullatës që vaksinohen plotësisht kundër COVID-19.