Ministri Çeku ngushëllon për vdekjen e aktorit Rasim Thaçi - Cima  

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ngushëlluar familjen e tashmë të ndjerit, aktorit Rasim Thaçi – Cima.

Aktroi Rasim Thaçi – Cima ka vdekur sot pasi nuk arriti t’i mbijetojë infektimit me COVID-19.

Përmes një telegram ngushëllimi dërguar familjes ministri Çeku ka shkuar se ndarja nga jeta e ikonës së artit komik shqiptar, Rasim Thaçi, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen por për të gjithë, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e Rasim Thaçit.

Sipas ministrit Çeku, kultura dhe arti shqiptar ka humbur njërin ndër yjet e tij më të mëdha, i cili me talentin e tij depërtoi thellë në kujtesën shoqërore.

“Me përkushtimin e tij të pashoq, arriti të krijojë aq shumë role sa nuk mund të numërohen dot. Ai ka qenë një model i një artisti i cili është një shkollë dhe frymëzim për artistët tjerë. Ai veproi dhe nuk u ndal edhe në kohët më të vështira nëpër të cilët kaloi populli shqiptar i Kosovës, duke treguar dashurinë që kishte ai për popullin e tij dhe guximin për idealet tona. Rasim Thaçi la pas vetës një korpus të madh të krijimtarisë dhe kjo do të mbetet një gjurmë e pashlyer në kulturën dhe artin tonë.  Ne do ta kujtomë me pietet veprën dhe krijimtarinë e tij”, thuhet ndër të tjerash në telegram ngushëllimin e ministrit Çeku, me rastin e vdekjes së artistit Thaçi.

Rasim Thaçi, i njohur me nofkën ‘Cima’ ishte ndër komedianët më të njohur të estradës kosovare. Ka interpretuar në shumë skeçe e filma.

Ai ka qenë profesor i edukatës fizike, ndërsa në rininë e tij ishe edhe pjesë e ekipit të futbollit “Prishtina”.

Me vendim të ministri Çeku, nesër e shtunë, me 27 mars, në Teatrin Kombëtarë të Kosovës, duke filluar nga ora 9:00, do të bëhen homazhe për aktorin Thaçi.

Ndërsa varrimi, sipas njoftimit të familjes, do të bëhet po nesër në fshatin Vukovc, prej orës 13:00.