Ministri i Bindur: Vizat Hiqen Deri në Fund të Vitit

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka deklaruar se institucionet e Kosovës, qeveria  dhe sistemi i drejtësisë nuk kanë alternativë tjetër, përveç asaj të përmbushjes së kushteve që kërkohen për liberalizimin e vizave.

Ai në prezantimin e raportit të BIRN dhe Internews Kosova “Liberalizimi i Korruptuar”, ka thënë se do të bëjnë çfarë është e mundur që t`ia përmbushin edhe nevojat buxhetore që kanë gjykata dhe prokuroritë e vendit.

“Nuk kemi alternativë tjetër, nuk kemi mundësi tjera, qytetarët presin liberalizimin e vizave dhe ne do të ndajmë resurse, do të ndajmë mjete financiare, do ta rrisim angazhimin tonë, intensitetin tonë. Dhe unë jam shumë i bindur që këtë do ta arrijmë dhe në fund të vitit qytetarët e vendit tonë do të kenë mundësinë që krahas edhe qytetarëve të vendeve të rajonit të lëvizin lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Tahiri.