Historia e Afrim Cakës, që ia kushtoi jetën mbledhjes së dëshmive të krimeve të luftës

Gjakova është njëra nga komunat më të prekura nga lufta. Vrasje dhunime maltretime e shumë krime u kryen në qytet e në fshatra ndërsa dokumentimi dhe ndjekja e tyre është ende larg.

Një grup i aktivistëve të këtij qyteti vazhdojnë punën për të arritur që t’i grumbullojnë provat e dëshmitë e asaj çka ka ndodhur në Gjakovë.

Afrim Caka është një aktivist që përpos që e ka përjetuar luftën dhe tmerrin e Gjakovës. Ai ka vazhduar të mbledhë prova e t’i dokumentoj ato çka kanë ndodhë gjatë asaj kohe.

Grumbullimin e tyre ai kishte filluar ta bëjë që nga viti 2002.

Caka në emisionin #KallxoPernime ka rrëfyer përjetimet e tij gjatë kësaj kohe.

Ai ka treguar që më 10 maj 1999 kishin filluar dëbimet masive në qytetin e Gjakovës.

“Isha në shtëpi sepse i kisha fëmijët e vegjël, dy palë binjak dhe vajzën e madhe 4 vjeçe, bineqt e parë i kishin 3 vjet ndërsa të vegjlit 1 vit e gjysmë. Isha në dhomën time dhe u rrethua e gjithë lagjja, dëgjojshim ulërima dhe e kuptuam që shtëpinë e kishin rrethu. Nga ana e pasme e shtëpisë që i kishim hapur muret për tu arratisur më shpejt, të gjithë ata që ishin mrapa shtëpisë sime i kishin arrestuar dhe i kanë pushkatuar at ditë”.

Caka ka rrëfyer edhe momentin që është dashur të jep para e ari, në këmbim që serbët të ia lironin gruan.

“Ka hi një paramilitar që ishte komandant rus, u fut në dhomë dhe kërkuan të holla, nga unë i kanë marr 10 mijë marka dhe një peshë të madhe të arit që i kisha të nanës, motrës e gruas dhe i morën dhe e liruan gruan pasi deshën ta marrin me vete”.

Ai i ka të identifikuar thuaja të gjithë serbët dhe serbo-malazezët që kanë qenë banorë të komunës së Gjakovës e që ishin bërë pjesë e luftës kundër shqiptarëve në 99-ën.

Ai ka shtuar se të gjithë banorët e Gjakovës i kanë njohur këta persona.

Caka: Millan Radojçiq, pjesë e forcave serbe gjatë luftës së fundit në Gjakovës

Në emisionin #KallxoPernime, Afrim Caka, ish i burgosuri politik dhe dëshmitar i vrasjeve e dëbimeve në Gjakovë, ka thënë se pjesë e paramilitarëve serb ka qenë edhe Millan Radojçiq.

Ai ka shtuar se ka qenë pikërisht ai me serbë dhe malazezë që kanë jetuar në këtë komunë, ata që i kanë nxjerr me forcë nga shtëpitë e tyre gjatë 1999-ës.

“Së pari kanë hy paramilitarët serb, aty ka qenë një komandant rus, u futën në dhomë dhe kanë kërkuar para, ari, nga unë i kanë marr 10 mijë marka dhe një peshë të madhe ari, dhe (pastaj) e liruan gruan, sepse,  njëherë dishtën me marr me veti. Kur kemi dalë në oborr nga dera ka hy Radojqiqi, kanë hy edhe disa të tjerë me radhë që janë të cekur në libër. Po flasim dmth për Milan Radjqiqin, që deri dje ishte në Mitrovicë dhe në kryeministri që e morën për bisedime, kryeministri atëherë që e patë thirrë’” ka thënë Caka.

Millan Radojçiq ka jetuar në Gjakovë, deri në fillim të luftës së fundit në Kosovë. Dhe ka qenë pjesë e Partisë së Listës Serbe.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Millan Radojçiq për këto akuza, përmes pyetjeve të dërguara tek partia “Lista Serbe”, por nuk kemi marrë përgjigje.

https://kallxo.com/lajm/ekskluzive-pas-heqjes-se-fletarrestimit-milan-radoiciq-futet-ne-kosove/

Radojçiq është i dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Olliver Ivanoviqit më 16 janar të vitit 2018.

Ivanoviq para se të vritej kishte realizuar një intervistë me BIRN, duke e quajtur Millan Radoiçiqin – një mbledhës të borxheve dhe pronar kamioni, i afërt me partinë në pushtet në Serbi – si një figurë kyçe në sistemin e frikësimit të pushtetit në Kosovën e veriut.

Në intervistën e tij të fundit për BIRN, Ivanoviq, i vrarë në janar, e quajti Millan Radoiçiqin një figurë kryesore dhe të fuqishme në veriun e Kosovës të drejtuar nga serbët.

Ai kërkoi nga BIRN që ta mbante atë pjesë të intervistës që e dha në 2018 jashtë procesverbalit, sepse kishte frikë nga hakmarrja e mundshme.

https://kallxo.com/gjate/hulumtim/ivanoviq-e-permendi-radoiciqin-si-sundues-erret-veriut/

Në intervistën një-në-një, në audion dhe shënimet e regjistruara, Ivanoviq pohoi se pushtetin në Kosovën e veriut nuk e mbajnë institucionet e zgjedhura por “qendrat joformale të pushtetit” – dhe e quajti Radoiçiqin të lidhur me këtë sistem joformal të pushtetit.

“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e Komunës – sepse ndërtesa e Komunës i takon kësaj qendre tjetër joformale të pushtetit”, tha Ivanoviq.

Më pastaj këta kanë vendosur që të marrin rrugë për në Shqipëri.

“Filluam të grumbullohemi dhe të nisemi për në Shqipëri, në ato momente u ndalëm para derës së Muhamet Dylës, aty kishin mbet disa anëtarë të kësaj familje brenda, por që nuk dolën më, nuk kanë shku 2-3 min dhe kemi dëgjuar breshëri plumbash dhe i kanë vra. Brenda kësaj shtëpie ka qenë edhe Milan Radojqiq, disa herë e kam potencu që ky njeri duhet të arrestohet, por drejtësia ka qalu në të gjitha hallkat e saj”, ka thënë më tej Caka.

Caka ka treguar se për këta persona kanë deponuar padi në Gjykatën në Prishtinë, e njëjta e ka kthyer lëndën në Gjakovë.

“Padi kemi bërë në Beograd edhe në Strasburg, dhe në Prishtinë, më ka thirrë një gjykatës në Gjakovë më ka treguar se lënda është kthyer këtu, ai më ka thënë se s’ka vullnet politik është fjala për vitin 2004-2006”, ka thënë Caka.

Cakës i mbushën sytë me lot kur kujton që gjatë rrugës kishte dëgjuar ulërimat e një gruaje që po dhunohet nga paramilitarët serb.

“Kur dola me rregullu kerin e fqnijit tim që isha duke e bartur pas timit pash që në një shtëpi e pash që ishin vë armë automatike gati për me qëllu, aty del një femër emrin nuk po e them e marrin dhe e shtinë mrena dhe një ulërimë e madhe ka shku. Ajo sot është gjallë, dëshminë e saj e kam por që nuk ka dashur ti publikohet”, ka rrëfyer Caka.

Libri “Ata u vranë – lanë pas vetës historinë”

Caka ka treguar edhe për librin të cilin e kishte botuar më herët me 1 mijë e 75 faqe i titulluar “Ata u vranë – lanë pas vetës historinë”, përfshinë fakte për vrasjet, masakrat dhe dëmet që Serbia i shkaktoi Gjakovës me rrethinë.

Për këtë libër janë dashur 18 vjet për grumbullim të dëshmive.

“Jam hi në 4 mijë e 200-300 shtëpi, ka shtëpi që nuk mi kanë dhanë infot tek qetash mi kanë sjellë se nuk e kanë marr seriozisht punën teme, pra i kam realizuar 4 mijë e 200-300 intervista. Pjesa dërmuese e dëshmitarëve janë të dorës së parë. Nëpërmjet këtyre i kam identifikuar edhe serbët dhe serbo-malazezët që kanë kryer krime në Gjakovë”, ka thënë Caka.

Caka ka shtuar se nuk ka pasur shumë banorë serb në Gjakovë por që të gjithë janë njohur mes veti.

“I kam intervistuar shumë dëshmitarë okular, dmth të dorës së parë, i kam gjetur pjesën dërmuese 95%-99% i kam gjetur dëshmitarët që janë gjallë, që ia kanë vrarë nanën, babën, fëmijën, vëllaun, motrën. Kam bisedu aq shumë me ta saqë mi kanë dhënë emrat e serbëve e malazezëve. Pastaj Mehdi Ferizi ka punu te letërnjoftimet kështu që në kohën e pauzës kam shku i kam gjetë të gjithë njerëzve që dëshmitarët i kanë identifikuar”, ka thënë Caka.

Në emisionin #KallxoPernime Caka ka treguar që rrugës për në Shqipëri, paramilitarët e detyrojnë që të ndahet nga familja dhe që nga aty ai ka qenë i burgosur në Lipjan Dubravë e Nish.

Gjatë qëndrimit nëpër burgje për kohë të gjatë as nuk kishin ushqim për kohë të gjatë.

“Na kanë grumbulluar më shumë se 300 vetave në periferi të Gjakovës, aty filloi barbaria shtazarake, rrahje, tortura prej më të ndryshmeve, bukë skishim hangër. 1 herë kemi hangër brenda 7 ditëve. Aty kemi qëndruar disa ditë pastaj kemi shkuar në burgun e Pejës, aty s’pat vend, pastaj na dërgun në një bodrum, pas kësaj pas 2 dite na dërguan në Dubravë. Edhe shoferat që na transportojshin për Dubravë ishin serbo malazez që jetonin në Gjakovë. Në Dubravë ka qenë një kasaphane e vërtet, pellgje të gjakut, trupa të shpërndarë në gjithë fushën, organe të nxjerra jashtë”, ka thënë  Caka

Caka kishte qenë në burgun e Dubravës edhe në kohën e bombardimeve të NATO-s.

Ai ka treguar që 21 serbo-malazezë kanë qenë të burgosur në burgun e Dubravës bashkë me shqiptarët.

“Pas një muaji që s’kishim ngrën bukë, na kanë dërgu me hangër bukë, këta serbët e burgosur e përgatitshin ushqimin për ne të tjerët, më pastaj duke u kthy disa të burgosur janë vrarë nga ushtarët serbë, oborri ishte mbushur me të vrarë duke qëndruar disa ditë aty. Vendosëm me dalë në mes të oborrit që të mos na zënë në befasi gardianët. Rreth orës 3 të mëngjesit serbët bartshin minahedhës. Rreth orës 5:30 filluan të gjuanin me minahedhës dhe aty ka qenë një kasaphane e vërtet. Trupa të shpërndarë jashtë”, ka thënë Caka.

Pas kësaj, ai ka rrëfyer si i kanë bartur të vdekurit duke thënë se i ka numëruar 171 viktima.

“Shoku im i ka numru 173 veta, pa pasur mundësi me i numru edhe ata që kanë qenë të vrarë nëpër puseta, krejt burgu ka qenë i mbushur me të vrarë ka qenë një kasaphane e vërtet. Gardianët edhe viktimat i kam shënuar në një bllok”, ka thënë Caka.

Ai ka shtuar se disa persona kanë tentuar që të zvogëlojnë numrin e të vrarëve në burgun e Dubravës e sipas tij, kjo i konvenon vetëm Serbisë.

“Nuk bën me e zvoglu numrin e të vrarëve, Serbia këtë e pret. Nait Hasani ka thënë se janë vrarë 90 të burgosur e Serbia e ka marr si pretekst që s’janë vrarë më shumë”, ka shtuar Caka.

KALLXO.com e ka kontaktuar Nait Hasanin i cili ka thënë se në bazë të të dhënave përfundimtare shifra e të vrarëve në Burgun e Dubravës është 118, ashtu siç përshkruhet në librin mbi masakrën e burgut të Dubravës.

Pas Dubravës të burgosurit i kanë dërguar në burgun e Lipjanit pastaj në at të Nishit.

I burgosuri nga Gjakova që u mbajt në kanalizim në burgun e Nishit

Afrim Caka, ish i burgosur ka treguar edhe përvojën e tij në burgun e Nishit.

“M’qun në bodrum të fabrikës së bojlerave në Nish dhe aty ish kanë një pusetë me fekale, e hekën kapakun edhe m’futën aty dhe ma mshelen kapakun. Thash kështu qenka fundi i botës”, RRëfen Caka.

Ballafaqimi me burrin që ofendonte gruan e tij të dhunuar nga serbët

Libri i dytë i Cakës sjell rrëfime për dhunimet e grave të Gjakovës gjatë luftës .

Afrim Caka në #KallxoPernime ka thënë se në Gjakovë është numri më i madhi i grave të dhunuara në gjithë Kosovën.

Por ai ka treguar edhe një rast që e ka dëgjuar gjatë mbledhjes së dëshmive, duke shtuar që për t’i intervistuar gratë e dhunuara i ka ndihmuar edhe gruaja e tij.

Gjatë 2002-ës sa ishte duke mbledhur dëshmi të dhunimeve të grave nga serbët, burri e kishte ofenduar gruan e tij të dhunuar.

“Shkuam me një shtëpi edhe ish kanë burri i vet aty, ai kur ka hy policia e kanë qitë jashtë nga dhoma e pasme, ka ikë u fsheh. Brenda e ka lënë gruan, çikat, nënën e djalin, ndërkohë policia e marrin me ia dhunu çikën, mandej gruaja thotë, leje çikën, vij unë. Pastaj gjatë rrëfimit të gruas ai burri që për mua është burrec, i thoshte fjalë banale gruas së tij”, ka vazhduar ai me rrëfimin e tij.

Ai ka shtuar që ka gra në Gjakovë që burri e ka lënë pasi e ka kuptuar që është dhunuar nga serbët përderisa këto gra nuk kanë përkrahjen e askujt.

“Ajo grua i ruan fëmijët, nuk kanë mbështetje nga askush, kjo temë është tabu, nuk është kulturë me i nda gratë e dhunuara por ne jetojmë si në kohën e mesjetës, ne kemi qenë të pa fuqishëm me i mbrojt gratë e tona”, ka rrëfyer Caka

Ai ka shtuar se libri me rrëfimet e grave të dhunuara është mbi 1,500 faqe ndërsa ka intervistuar rreth 1 mijë gra në Komunën e Gjakovës.

“Këto dhunime kanë ndodhur ndaras nëpër shtëpi të tyre, ka pasur edhe hangar në Gjakovë kur kemi qenë në burg i kemi parë gratë duke i shti brenda”.

Këtë libër Caka e ka titulluar, “Gjakova, dhunimet – pjesa më e shëmtuar e qytetit tim”, i cili do të publikohet së shpejti.

“Këto gra nuk kanë mundur që t’i identifikojnë serbët të cilët i kanë dhunuar përderisa kam pas rast që bashkëshorti më ka thënë që me heq rrëfimin e gruas së tij”, ka përfunduar Caka.