Përurimi i Autostradës Arbën Xhaferi - segmenti i 3-të / Foto KALLXO

Milionat për Bechtel&Enka-n - Agron Demi: Qeveria e ardhshme t`i prish planet e qeverisë Haradinaj

Pas raportimit të KALLXO.com se qeveria në ikje e Kosovës i ka ndarë edhe 32 milionë euro për Bechtel&Enkan, ka reaguar Agron Demi nga Instituti GAP.

Demi ka shkruar se ndarja e 32 milionë eurove është mbulesë për Bechtel&Enkan derisa kësaj kompanie t`i jepet tenderi tjetër për autostradën e Dukagjinit në vlerë prej 590 milionë euro.

Sipas Demit qeveria e ardhshme do të duhej t`i prishte këto plane të qeverisë në ikje të Ramush Haradinajt, e cila sipas tij ‘…zullumin e qeverisjes së saj nuk mundet me e bartë as qytetari apatik i Kosovës”.

Reagimi i plotë i Agron Demit nga Instituti GAP:

Natyrisht, këto 32 milionë janë vetëm sa me kalu kohën Bechtel&Enka, deri sa të kryhen procedurat për autostradën e Dukagjinit, e tani me j’au dhanë edhe 590 milionë. E po shpresoj që qeveria e re e prishë këtë plan të qeverisë paraprake.

Dy herë ka qeverisë me vendin Ramushi&AAK, e në dy palë zgjedhjet pasuese (2007 dhe 2019) qytetarët kanë sjellë në qeverisje parti të reja. E ndoshta e mira e AAK-së është që e mobilizon votën e ndryshimit, ngase zullumin e qeverisjes së saj nuk mundet me bartë as qytetari apatik i Kosovës.

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)

KALLXO.com raportoi sot se konzorciumi “Bechte&Enka” pritet të marrë edhe 32 milionë euro tjera nga buxheti i shtetit të Kosovës. 32 milionë e 200 mijë euro pritet t’i kushtojnë Kosovës dy kyçje për në autostradën Arbën Xhaferi dhe një mbikalim. Kyçjet janë paraparë të ndërtohen në fshatin Gërlicë të Vitisë dhe një në Ferizaj si dhe mbikalimi në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit.

Vendimi për të ia dhënë të drejtën e ndërtimit të këtyre dy kyçjeve vetëm konzorciumit “Bechtel&Enka”, duke përjashtuar kështu mundësinë e një gare tenderimi, ishte marrë fillimisht në maj të këtij viti nga Qeveria e Kosovës.

Më 28 maj të këtij viti, në mbledhjen e Qeverisë me propozim të Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, kabineti qeveritar kishte miratuar vendimin për të zgjatur kontratën për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi deri më 1 dhjetor 2020.Vendimi për të ia dhënë edhe disa miliona euro “Bechtel&Enka” ishte marrë në Qeveri vetëm një ditë para se të hapej zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi”.

Në po këtë mbledhje ishte marrë vendimi edhe për ndërtimin e kyçjeve dhe mbiklaimit si dhe ishte obliguar Ministria e Infrastrukturës që t’i nis negociatat me “Bechtel&Enkan”.

“Aprovohet propozimi për ndërtimin e kyçjeve Ferizaj Viti dhe mbikalimin në Paldenicë. Autorizohet dhe obligohet Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit të negocioj me konsorciumin Bechtel&Enka për ndërtimin e kyçjeve dhe të mbikalimit”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Tashmë, kërkesa për sigurim të mjeteve i ka shkuar Ministrisë së Financave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Kjo kërkesa, sipas Ministrisë së Financave është bërë me kërkesat buxhetore që Ministria e drejtuar nga Pal Lekaj i AAK-së i’a ka bërë për vitin 2020.“Ministria e Infrastrukturës me kërkesa buxhetore për vitin 2020 ka paraqitur kërkesën në shumë prej 32,200,000 €  në emër të realizimit të projektit (ndërtimin e kyçjeve nga Ferizaj dhe Vitia në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe mbikalimin në Paldenicë ), pjesë e projektit  Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në anën tjetër, edhe Ministria e Infrastrukturës e Transportit e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se ka përfunduar procesi i negocimit mes Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit “Bechtel&Enka” për projektin e ndërtimit të dy kyëjeve dhe mbikalimit.

I gjithë ky proces është tani më është në fazë të nënshkrimit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit  me vendim të datës 24.07.2019, ka caktuar Grupin negociues me Konsorciumin Bechtel&Enka i cili e ka përfunduar procesin e negocimit dhe ka dorëzuar raportin i cili është në procedurë të nënshkrimit”, thuhet në përgjigjen e MIT për Gazetën JnK.

Në ditën kur ishte marrë vendimi për të negociuar me “Bechtel&Enka” për ndërtimin e kyçjeve dhe mbikalimit, Gazeta Jeta në Kosovë e kishte pyetur në konferencë për media Kryeministrin Ramush Haradinaj se çfarë kosto do të ketë. Ai kishte deklaruar se kostoja nuk dihet.

“Për kyçjet në Ferizaj dhe në Viti dhe mbikalimin në Paldenicë, nuk kemi një kalkulim të kostos. Është autorizuar ministria sot me i negociu këto kyçje, koston dhe parametrat tjerë”, kishte thënë Haradinaj në pyetjen e Gazetës në ditën që Qeveria e kishte miratuar këtë.

Ndërsa propozimin për të ia dhënë konzorciumit të drejtën për t’i bërë këto ndërtime e kishte dhënë ministri Pal Lekaj para kolegëve të tij në mbledhjen e Qeverisë.

Lekaj e kishte arsyetuar dhënien e punëve shtesë për “Bechtel&Enka”, pa ndonjë proces të tenderimit, duke thënë që kjo po bëhet për të evituar procedurat e zgjatura të prokurimit.

“Me qëllim të sigurimit të standardeve teknike, evitimit të procedurave të zgjatura të prokurimit dhe kostos për mobilizim si dhe zbatimit të vendimeve të marra më larta, rekomandohet qeveria që të merret vendimi për ndërtimin e dy kyçjeve të reja në autostradën R6 për Ferizaj dhe Viti si dhe ndërtimit dhe ndërtimin e mbikalimit në Paldenicë, përmes procedurës së negocimit me konzerciumin Bechtel&Enka”, kishte thënë Pal Lekaj në ditën që ishte marrë vendimi, më 28 maj.