Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë vizitës në pikat kufitare në veri, Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Reagon Sveçla pas protestës së Policisë: Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe

Vetëm pak minuta pasi protesta e njësive speciale përfundoi e që u mbajt para objektit të Qeverisë së Kosovës, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla reagoi në profilin e tij zyrtar në Facebook.

“Me marrjen e mandatit nga ne Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë” – kështu tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në reagimin  e tij.

Sipas Sveçlës, për Policinë e Kosovës, që nga marrja e mandatit të tyre, deri sot e kanë rritur buxhetin për 30%, ndërkaq në investime kapitale rritja tha se është prej 300%.

“Buxheti për pajisje operacionale ka qenë më pak se gjysmë milioni, ndërkaq sot është mbi 9 milionë euro apo 21-fish më shumë” – tha i pari i MPB-së.

Tutje ai përmendi edhe marrëveshjen që u nënshkrua bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në, përmes së cilës ministri tha se të gjitha shërbimet shëndetësore në të gjitha rajonet e Kosovës, do të ofrohen për zyrtarët policorë me prioritet dhe pa asnjë pagesë.

Tutje i pari i MPB-së tha se për detyrë e ka që të mendojnë e përkujdeset për tërësinë, duke u lëshuar në secilën prej 9 agjencive ekzekutive e pastaj të bëj trajtim specifik për njësitë përbrenda secilës agjenci veç e veç, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë reale dhe qasjen e drejtë.

“Sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim sepse kjo formë përveçse e dëmshme del të jetë gjithnjë e pamundur” – tha ai.

“Asnjë sakrificë të popullit shqiptar në histori, të asnjë individi nuk do të mund ta shpërblejmë për ta baraz-vlerësuar sepse jeta është e paçmueshme. Ajo nuk ka çmim. Asnjë çmim, asnjë shpërblim nuk do të jetë i baraz-vlefshëm, asnjëherë, me jetën porse ky është angazhimi ynë për vendin” – shtoi ministri.

I njëjti tutje kujtoi se si gjatë kësaj kohe, sipas tij ai së bashku me pjesëtarët e PK-së kanë bërë shumë punë të mira në drejtim të luftimit të krimit, korrupsionit e kontrabandës.

“Pavarësisht se nga gjyqësori s’është se jemi ndihmuar shumë” – shtoi Sveçla teksa tha se veçanërisht gjatë kësaj kohe kanë shtrirë integritetin, sovranitetin dhe sigurinë në veri të vendit.

“Nuk besoj që ka pagë që do të na nxiste ta bënim këtë, por kemi bërë maksimumin që përbrenda mundësive tona të trajtojmë secilin njësit të Policisë së Kosovës ashtu siç e meriton” – u shpreh ministri.

“Kam qenë shumë i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën do ta gjejmë sigurinë në Republikën e Kosovës dhe gjendjen e mjerueshme në aspektin infrastrukturoro-financiar Policinë e Kosovës, por me shumë punë e angazhim, pavarësisht secilës sfidë, kemi bërë punë të mira e do të vazhdojmë të bëjmë” – tha i njëjti.

Po ashtu, Sveçla u shpreh se të gjithë së bashku kanë shtruar një rrugë të drejtë e të sigurt të ndryshimit të gjendjes së sigurisë në vend dhe kjo rrugë nuk ka më kthim mbrapa.

“Kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë. Ne nuk do të ndalemi. Sepse ne jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë” – vazhdoi ai.

Ministri gjithashtu tha se Republika e Kosovës ka ekonominë dhe buxhetin me të cilin adreson nevojat e shtetit dhe shoqërisë e se me to, me gjithë arritjet e viteve të fundit duhet të mbulohen e trajtohet gjithçka dhe çdokush.

“Ndërkohë që ka shumë kategori shoqërore që edhe brenda tyre, por edhe krahasuar njëra me tjetrën, më parë janë trajtuar në mënyrë jo të barabartë. E gjithë përpjekja jonë është që me mundësitë që kemi të ulim pabarazinë edhe brenda profesionit edhe mes profesioneve të ndryshme” – tha ai.

I njëjti shtoi se në qasjen e tyre, paga asnjëherë nuk ka qenë e shkëputur nga kushtet e tjera të punës që përbëjnë një aspekt esencial të trajtimit të punëtorëve të secilit sektor, ndër këta ministri tha se sigurisht është edhe Policia e Kosovës.

Sot, pjesëtarët e kësaj të fundit protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Aty, kryesindikatlisti i PK-së prezantoi 14 kërkesat që kanë për qeverinë e që presin që të ju plotësohen.

14 kërkesat e Policisë së Kosovës për Qeverinë