Presidenti Ilir Meta

Meta thirrje shqiptarëve të Luginës: Merrni pjesë në zgjedhje

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë të ditur se po ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në Luginën e Preshevës, e në mënyrë të veçantë zhvillimet politike lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Sipas një njoftimi, Meta ka bërë thirrje për zgjidhjen në mënyrë demokratike të të gjitha çështjeve që shqetësojnë popullsinë shqiptare të Luginës dhe të gjithë shqiptarët në Serbi.

“Presidenti Meta inkurajon të gjitha forcat politike të Luginës së Preshevës dhe të gjithë popullsinë shqiptare kudo ku jeton në Serbi, të marrin pjesë në zgjedhje, të unifikojnë qëndrimet, në mënyrë që të maksimalizojnë rolin dhe kontributin e tyre në institucionet e ardhshme, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal”, thuhet më tej.

Meta ka shprehur bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore, si dhe bashkëpunimi i të gjithë subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, “si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi”.

Katër subjekte politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjë në Serbi, që njihet si Lugina e Preshevës, kanë arritur marrëveshje që të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat pritet të mbahen në pranverën e këtij viti,

Marrëveshja ndërmjet Partisë për Veprim Demokratik, Alternativës për Ndryshim, Lëvizjes për Progresin Demokratik dhe Lëvizjes për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare, është arritur të enjten, në Tiranë, me ndërmjetësimin e ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj më 18 janar të këtij viti.

Arritja e marrëveshjes sipas tyre është pikënisje për të synuar fuqizimin e zërit të votuesve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës.