Mësimdhënësi i dyshuar për ngacimin seksual të nxënëses në Deçan, dyshohet se kanosi personin që filmoi ngjarjen

Një mësimdhënës nga Deçani po dyshohet se ka kryer një sulm seksual ndaj një nxënëseje të mitur.

Ai është arrestuar dhe gjendet aktualisht në ndalim për 48-orë, përderisa Prokuroria Themelore në Pejë ka dorëzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në fjalë për veprat penale sulm seksual dhe kanosje.

Mësimdhënësi i arrestuar dyshohet se ka kanosur edhe personin që e ka bërë videoincizimin e rastit.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

Nikçi ka treguar se prokurori i shtetit ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje.

“Prokurori ka shkuar në stacionin policor dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit” – ka thënë dje zëdhënësi për KALLXO.com.

Në anën tjetër, mësimdhënësi është suspenduar edhe nga puna.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka konfirmuar se rasti ka ndodhur të premten.

“Është një rast që na ka tronditur për nga natyra për shkak të respektit që e kanë pasur banorët për atë mësimdhënës, dhe nuk e di çka ka mujtë m’i ndodhë. Mirëpo është rast që na ka tronditur të gjithëve” – ka thënë Ramosaj.

Kryetari ka theksuar se menjëherë pas raportimit është marrë masa për suspendimin e mësimdhënësit deri sa të verifikohen procedurat e hetuesisë.

Ai poashtu ka bërë të ditur se drejtori i shkollës dhe drejtori i Arsimit e kanë denoncuar mësimdhënësin.

Mësimdhënësit të dyshuar për sulmin seksual ndaj nxënëses në Deçan i sekuestrohet telefoni