Mesazhet ndërkombëtare para takimit Kurti-Vuçiq

Në prag të takimit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se presin që ata të pranojnë edhe zyrtarisht e publikisht propozimin. Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione

Në vigjilje të takimit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shtuar edhe presioni ndërkombëtar lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se presin që ata të pranojnë edhe zyrtarisht e publikisht propozimin në takimin e së hënës.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ai ka theksuar se është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Këto koment, Chollet i bëri pas një bisede me kryeministrin Kurti në prag të takimit të planifikuar për të hënën me presidentin serb në Bruskel.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të Bashkimit Evropian”, shkroi Chollet.

Kryeministri Kurti, shkroi se i ka konfirmuar Chollet qëndrimin e tij për propozimin evropian “si bazë e mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Normalizimi i plotë kërkon njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes dhe respektim të të drejtave të pakicave në të dyja vendet”, shkroi ai.

Në anën tjetër, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet kyç për stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës.

E kjo sipas Escobar, mund të ndodhë nëse bëhet nënshkrimi i planit evropian.

Ai në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve “MinaNeës” vlerësoi se nënshkrimi eventual i planit evropian do të mund të ndikonte në stabilitetin e rajonit, duke shtuar “se pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit në Ukrainë dhe ndikime të tjera malinje synojnë të mbjellin ndarje”.

Escobar theksoi se normalizimi do të hapë dyert për integrimin politik dhe ekonomik të Serbisë dhe Kosovës në Evropë dhe do të kontribuojë në një stabilitet dhe prosperitet më të madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kurse, I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që gjatë raundit të ri të dialogut ta pranojnë planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajçak thekson, se propozimi i BE-së nuk është i negociueshëm. Sipas BE, temë diskutimi do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se propozimi nuk do të negociohet dhe të hënën palët do të diskutojnë për zbatimin e planit i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën.

Një zyrtar i lartë evropian tha se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është çështja më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të shtunën gjatë mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të partisë së tij, lëvizjes Vetëvendosje, se Kosova është treguar e përkushtuar në procesin e bisedimeve.

“Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, tha kryeministri Kurti.

Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione./Dukagjini