Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian është një e arritur e madhe

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas takimit trepalësh në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në këtë takim nuk është arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë, Haradinaj ka thënë se pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe.

“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja. Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë!” – ka shkruar Haradinaj.

Takimi i sotëm Kurti- Vuçiq, sipas këtij të fundit përfundoi pa marrëveshje, sepse sipas tij kryeministri Albin Kurti nuk e pranoi formimin e Asociacionit.

Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.