Ilustrim

Mërgimtarët paguajnë policën e sigurimit, qeveria thotë se do të rimbursohen

Mërgimtarët po vazhdojnë të paguajnë policën e sigurimit për t`u futur në Kosovë me veturat e tyre.

Ani pse në mbledhjen e datës 26 janar qeveria kishte ndarë 3 milionë euro për mbulimin ose rimbursimin e kësaj pagese, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Një mërgimtar i cili sot ka hyrë në Kosovë më familjen e tij në pikën kufitare ‘Dheu i Bardhë’ ka treguar për KALLXO.com se ka paguar 15 euro policën në këtë pikë.

KALLXO.com ka kontaktuar Sami Mazrekun, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve i cili ka konfirmuar se qytetarët që hynë në Kosovë janë duke vazhduar pagesën e policës.

Sipas Mazrekut, qeveria vetëm është zotuar për ndarjen e mjeteve por ende nuk ka hapa konkret për këtë çështje.

“Qeveria vetëm është zotuar që do t`i paguaj sivjet policat për bashkatdhetarët, ende nuk ka marrëveshje me ne për detajet se kur fillon, si fillon, dhe në çfarë forme”, tha ai.

Mazreku tha se për lirimin nga pagesa duhet paraprakisht një marrëveshje e nënshkruar nga Byroja, Ministria e Financave, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) si dhe Policia Kufitare.

“Për t`u implementuar ai vendim, duhet të ulemi të diskutojmë modalitetet dhe të caktojmë datën e fillimit për shkak se ne kemi nevojë për ndryshime ligjore, kemi nevojë të ndryshojmë sistemin dhe kemi nevojë që t`i informojmë para kohe pikat kufitare dhe jo ad-hoc”, theksoi ai.

Nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se mërgimtarët do të rimbursohen për pagesën e policës, duke filluar nga data 1 janar 2022 deri më 31 dhjetor 2022.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë së Kosovës në përgjigjen për KALLXO.com ka thënë se Ministria e Financave është duke hartuar mënyrën teknike dhe logjistike për rimbursim.

“Pra të gjithë bashkatdhetarët nga 1 janari deri më datën 31 dhjetor 2022 do të rimbursohen për shpenzimet e tyre për policën kufitare. MFPT është duke hartuar mënyrën teknike dhe logjistike se si do të bëhet rimbursimi i bashkatdhetarëve dhe për këtë do të ketë njoftim publik nga kjo ministri”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e 26 janarit, kabineti qeveritar ka marrë vendim që Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve t`i ndahen 3 milionë euro për këtë çështje.

Në bazë të vendimit mjetet e ndara do të shfrytëzohen për mbulimin apo rimbursimin e kostos së policave kufitare të bashkatdhetarëve tanë deri më datë 31 dhjetor 2022, duke u bazuar në kriteret e përcaktuara me Vendim të veçantë të Ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Kjo mbështetje hynë në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, përkatësisht masës 4.5 në të cilën qeveria zotohet se do të paguaj policën deri sa të zgjidhet çështja e kartonit të gjelbër.

Në korrik të vitit ta kaluar, Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Financave kishte lidhur marrëveshje me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, për lirim nga pagesa të policës për mërgimtarët. Kjo marrëveshje kishte qenë në fuqi deri në dhjetor të 2021.