Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Memli Krasniqi - Qeverisë: Larg duart nga mediat!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me emërimin e Luljeta Aliu-Krasniqit si anëtare në Komisionin e Pavarur të Mediave, Qeveria dëshmoi se është në mision për pengim të fjalës së lirë.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që të mbajë duart larg nga mediat.

“Mediat, deri sot, u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.  Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave”- është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, vetëm pushteti i korruptuar dhe autokrat ka synim kontrollin e mediave.

“Vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e, fatkeqësisht, kjo po ndodhë tash e dy vjet në vendin tone”- shtoi tutje Krasniqi.

Shqetësim për emërimin e Luljeta Aliut në këtë pozitë kanë shprehur edhe Asociacioni I Gazetarëve të Kosovës si dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias.

Luljeta Aliu-Krasniqi emërohet anëtare e KPM-së, për dy kandidatët tjerë do të përsëritet konkursi