Latifi: Gjendja në KPM është e rëndë

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Medias, Xhevat Latifi tha se ky institucion është duke kaluar ditë të vështira.

Këto deklarata Latifi i bëri gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Latifi tha se rasti i arrestimit të kryeshefit të KPM-së dhe drejtorit financiar, është më i rëndi që nga themelimi i KPM-së.

“Marrë parasysh gjendjen, situata është e rëndë. Edhe nga bisedat me punëtorë, vërehet që gjendja është e vështirë. Kemi pasqyruar gatishmërinë tonë që të bashkëpunojmë me organet që të kalohet situata”, tha ai.

Në qershor, drejtori i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur për Media Arben Bilalli dhe kryeshefi, Luan Latifi janë arrestuar nën akuzat për korrupsion.

Bilalli është arrestuar me dyshimin se ka kërkuar 8 mijë euro nga pronari i një biznesi.

Ai u arrestua pas dyshimeve se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 € (tetë mijë euro), me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.