Luljeta Aliu-Krasniqi emërohet anëtare e KPM-së, për dy kandidatët tjerë do të përsëritet konkursi

Me 48 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kandidatja Luljeta Aliu – Krasniqi është zgjedhur sot anëtare në Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ndërsa, për dy anëtarë të tjerë të këtij komisioni, asnjë nga katër kandidatët nuk arritën të marrin votat e nevojshme për tu emëruar në këtë pozitë.

“Kandidatët e propozuar për zgjedhjen e dy anëtarëve, nga katër kandidatët sa i patëm, nuk ka arritur të zgjidhet asnjë anëtar, meqë Granit Musliu i ka 24 vota, Xhevat Latifi 40, Veton Kasapolli 41 kurse Jeta – Abazi Gashi 14 vota, prandaj nuk e ka arritur asnjëri numrin e 46 votave sa ishte e nevojshme për tu zgjedhur anëtar i komisionit të pavarur të mediave”- tha kryeparlamnetari Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë se për këto dy pozita Kuvendi do e rishpallë dhe përsërisë konkursin.

Ndërsa, Luljeta Aliu – Krasniqit kohëzgjatja e mandatit si anëtare e KPM-së do t’i caktohet me short në mbledhjen e radhës të Komisionit përkatës.

“Komisioni i Mediave pritet që sa i përket mandatit të anëtares së zgjedhur të përcaktohet me short, në mbledhjen e radhës të komisionit përkatës, dy anëtarë do të kenë mandat 2 vjeçar dhe një anëtarë do të ketë mandat katër vjeçar, tash varet nga shorti se cili prej mandateve caktohet për zonjën e cila u zgjedh”- tha Konjufca.

Luljeta Aliu – Krasniqi ka qenë në garë me kandidaten tjetër Violeta Hyseni -Kelmendi, për pozitën anëtare grua në KPM.

Vizitat e deputetëve jashtë shtetit dhe mungesa e tyre në seancë e ka shtyrë për disa herë vendimmarrjen se kush duhet të jetë anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Për shkak të mungesës së tre anëtarëve,  Borsi i KPM-së ka mbetur pa kuorum, rrjedhimisht jofunksional që nga 16 tetori i vitit 2022.

KALLXO.com ditë më parë ka raportuar se nga bllokada e shkaktuar si pasojë e mos emërimit, 47 ankesa ndaj televizioneve e radiove dhe transmetuesve kanë mbetur pa u shqyrtuar.

Vonesat për emërimet në Komisionin e Pavarur të Mediave, janë kritikuar nga njohës të mekanizmave të mediave.

Ardita Zenjullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK), ka thënë për KALLXO.com se shtyrja e funksionalizimit të KPM-së, ndikon negativisht në punën dhe dinamikën e punës së këtij mekanizmi.

Konkursi për zgjedhjen e tre anëtarëve të KPM-së, është përsëritur nga Kuvendi i Kosovës, pasi më 2 gusht të vitit 2021 asnjë nga kandidatët e propozuar nuk kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme në Kuvend.

Atë kohë, procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së ka nxitur reagim nga shoqëria civile në Kosovë dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.

KPM-ja është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Në bazë të ligjit, KPM-ja licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.

Ky institucion, i cili është edhe kategori kushtetuese, përbëhet prej Bordit të KPM-së dhe Bordit për Ankesa të Mediave.

Sipas Ligjit për KPM-në, Komisioni i Pavarur i Mediave përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.