Mehaj: 5.2 milionë euro do t'i ridestinojmë për blerjen e pajisjeve ushtarake

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se shumën prej 5.2 milionë euro nga planifikimet e mëhershme, do t’i  ri-destinojmë në projektet e Programit Amerikan të Shitjeve të Jashtme Ushtarake, me qëllim të rritjes së aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

Mehaj ka deklaruar se blerjet ushtarake do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët amerikan dhe aleatët tjerë.

“Pas analizës dhe vlerësimit të detajuar të planit të prokurimit për vitin 2021, në proces të rishikimit të buxhetit aktual, kemi arritur që shumën prej 5.2 milionë euro nga planifikimet e mëhershme të shpenzimeve të panevojshme, ta ri-destinojmë në projektet e Programit Amerikan të Shitjeve të Jashtme Ushtarake (The Foreign Military Sales- FMS) me qëllim të rritjes së aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të FSK-së. Pra, blerjet tona ushtarake do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët tanë amerikan dhe aleatët tjerë”, ka shkruar ministri Mehaj në rrjetin social “Facebook”.

Më tej, ministri Mehaj është shprehur i vendosur për forcimin e Ushtrisë së Kosovës për përmbushjen e plotë të misionit të saj.

“Si Ministër i Mbrojtjes, jam i vendosur që prioritetet e Qeverisë, qëllimet strategjike dhe objektivat e mi operacional t’i realizoj deri në fund, mbi parimin e ndalimit të shpenzimeve të panevojshme, transparencës, llogaridhënies dhe përkushtimit maksimal për forcimin e Ushtrisë së Kosovës për përmbushjen e plotë të misionit të saj kryesor – mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe pjesëmarrjes në operacionet ndërkombëtare përkrahë forcave amerikane dhe aleatëve tjerë, si rrugë  drejtë anëtarësimit të vendit në NATO”, thuhet tutje në kumtesë.