Megjithatë do të ketë takime VV-LDK, thotë Mustafa

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka sqaruar deklarime e më hershme rreth takimeve për një koalicion ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.

Sot, menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, Mustafa tha se nuk do të ketë asnjë takim ndërmjet LDK-së dhe LVV-së pa u numëruar të gjitha votat nga KQZ.

Por, vetëm pak çaste më vonë, deklarimet e tij i demantoi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatja e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ndërkaq, kandidati për deputet nga LDK, Besian Mustafa ka dalë edhe me një sqarim. Ai ka thënë se, megjithatë, do të ketë takime ndërmjet LDK-së dhe partisë së Albin Kurtit.

“Nuk ka pezullim të diskutimeve! Po vazhdojnë diskutimet mes grupeve punuese të LDK-së dhe LVV-së për përafrim të programeve tona. Diskutimet në nivel politik për bashkëqeverisjen LDK-LVV vazhdojnë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja”, ka shkruar Besian Mustafa në “Facebook”.

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit nxorën Vetëvendosjen fituese me 203 mijë e 052 vota. Sipas KQZ-së, partia e dytë është renditur LDK me 197 mijë e 702 vota.