Millan Radojiçiq

Mediat serbe raportojnë se Millan Radojiçiq është kthyer në Kosovë

Mediat serbe janë duke raportuar se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq, është kthyer në Kosovë.

Sipas portalit kosovo-online, Radojiçiq është paraqitur nga Leposaviqi.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb sapo ka filluar. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, më lejoni të them vetëm, dhe të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo. sepse nga këtu nuk ka kthim. Rroftë Serbia”, thuhet të ketë thënë ai.

Në shkurt të këtij viti Millan Radojiçiq kishte tentuar të hyjë në Kosovë nga pika kufitare e Bërnjakut, por kishte rezultuar në listën e personave të kërkuar.

Gjatë procesit të verifikimit nga ana e Policisë së Kosovës, Radojiçiq ka kthyer veturën mbrapa dhe është larguar në drejtim të territorit të Serbisë duke u arratisur kështu nga duart e Policisë së Kosovës.

Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.

Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.

 

Millan Radojiçiq flet pas arratisjes nga Policia e Kosovës në pikën kufitare të Bërnjak