Si u përfshi një shqiptar në negociatat me Millan Radojiçiqin?

Prokurori Rasim Maloku ka rrëfyer arratisjen e Millan Radojiçiqit në çështjen “Brezovica”.

Ai ka dëshmuar për negociatat dhe mënyrën që çuan që Radojiçiq po kërkohet në rastin “Brezovica”.

“Millan Radojiçiq nuk kemi informacione që lidhet direkt në rastin që ka qenë pjesë e ndonjë ndërtimi apo investimi por megjithatë rasti i Radojiçiqit lidhet me frikësimin e dëshmitarit bashkëpunues dhe për këtë arsye na është dashur që edhe atë ta fusim në hetim”- tha Maloku.

“Kjo çështje ende është nën hetim dhe detajet e kësaj nuk mundem me i nda tash. Ai gjendet në arrati. Një herë është tentuar të arrestohet dhe ka ikur prej zyrtarëve policorë kufitarë por kryesisht lidhet se e ka ftuar dëshmitarin përmes një ndërmjetësuesi dhe e ka kërcënuar në format që nuk janë për publikun tash për tash” – theksoi Maloku, duke mos treguar se kush ka qenë ndërmjetësuesi.

Maloku nuk është përgjigjur as në pyetjen e gazetarit nëse ndërmjetësuesi është pronar i një portali në gjuhën shqipe.

“Tash për tash nuk mundem të tregojmë për publikun sepse aty kanë qenë edhe disa dëshmitarë të tjerë por ka qenë në mënyrë indirekte i përfshimë në negociata dhe është intervistuar edhe ai por edhe personat e tjerë aty por këtë e kemi nën hetim ende”-potencon Maloku.

Millan Radojiçiq u ka ikur policëve të Kosovës në pikën kufitare të Bërnjakut në kohën kur ai kishte tentuar të futej në Kosovë.

Pasi i kishte dorëzuar dokumentet te zyrtarët e Policisë Kufitare, Radojiçiq ishte urdhëruar të parkonte veturën pasi ishte kuptuar se ai gjendej në “Stop listë”. Në këtë moment ishte arratisur drejt territorit të Serbisë, duke i lënë dokumentet te zyrtarët kufitarë të Kosovës.

Radojiçiq është në “listën e zezë” të SHBA-së dhe është nënkryetar i Listës Serbe.

Kjo parti ka qeverisur edhe me Komunë e Shtërpcës, zonë ku Prokuroria po heton një korrupsion masiv që lidhet me ndërtimet në zonat e mbrojtura.

Prokurori Maloku ka rrëfyer se mbi 800 vila u ndërtuan pa kritere dhe duke dhënë mito.

.