Gashi: Sot jemi marrë se kush-kujt i mëshoi grusht, nuk kemi folë për temën kryesore – kush është MiIlan Radojiçiq

Redaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka komentuar tensionet që përcollën sot Kuvendin e Kosovës.

Gashi tha se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka tejkaluar kompetencat e tij kur ka vendosur që të largojë fotografinë e vendosur nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Duhet me e diskutu se kush është shefi i Kuvendit. Përgjegjësi është kryetari i Kuvendit për atë se çfarë shfaqet dhe është pengesë për deputetët. Për largimin e fotografisë përgjegjës ka qenë kryeparlamentarit. Nëse atij i kish pengu ai është dashtë më e largu. Vendimi i Besnik Bislimit me e largu një protestë të opozitës që e ka vendosë mendoj që ka qenë tejkalim i kompetencës, ai nuk është deputet”- ka thënë Gashi.

Redaktori i KALLXO.com tha se sot është  harruar të flitet për subjektin kryesor sipas tij – Millan Radojiçiqin.

“E para sot ne jemi marrë kush-kujt ia dhënë një grusht, sot kemi harru të flasim për subjektin kryesor që është Millan Radojiçiqi. Sot nuk kemi folë për të por kemi bërtitë. Ne nuk kemi folë se kush është ai, ndikimin e tij. Është dashtë me folë për një strukturë që ka përfitu prej një zone të kontrabandës e cila ka veprimtari prej vitit 1999 e vazhdon me pasë”- tha Gashi.

Situata e sotme në Kuvendin e Kosovës kaloi me tensione të vazhdueshme, rrahje, kacafytje e ndërprerje të fjalimeve.