Millan Radojiçiq

Millan Radojiçiq flet pas arratisjes nga Policia e Kosovës në pikën kufitare të Bërnjak

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq, që është në kërkim të Policisë së Kosovës ka reaguar për herë të parë pas arratisjes së tij nga duart e policisë së Kosovës natën e mbrëmshme.

Millan Radojiçiq kishte tentuar të hyjë të enjten në mbrëmje në Kosovë nga pika kufitare e Bërnjakut, por kishte rezultuar në listën e personave të kërkuar.

Por gjatë procesit të verifikimit nga ana e Policisë së Kosovës, Radojiçiq ka kthyer veturën mbrapa dhe është larguar në drejtim të territorit të Serbisë duke u arratisur kështu nga duart e policisë së Kosovës.

Përmes faqes zyrtare të subjektit politik, Lista Serbe, Millan Radojiçiq ka reaguar në lidhje me rastin duke thënë se gabojnë rëndë ata që tentojnë të ndajnë nga bashkëkombësit e tij.

“Nëse dikush në Kosovë e Metohi, qoftë nga institucionet apo përfaqësuesit ndërkombëtarë, mendojnë që me akuza të tilla të rreme, mund të më përzënë përgjithmonë nga Kosova  e Metohi apo të më ndajnë nga bashkëkombësit e mi dhe ta dobësoj luftën për Serbinë, jeni mashtrues”, ka shkruar në mes tjerash Millan Radojiçiq në Facebook.

“Unë e kam kuptuar prej kohësh se mbrojtja e popullit tim në Kosovë dhe Metohi do të më rrezikojë mua, familjen dhe miqtë e mi dhe do të fitoj armiq të fuqishëm, por jam i vendosur që këto sulme nuk do të më pushtojnë, sado të fuqishëm të jenë ata që duan të më dëbojnë Kosova dhe Metohije”, thuhet tutje në reagimin e Millan Radojiçiqit.

Ndërsa akuzat me të cilat ngarkohet, ai i ka quajtur politike.

KALLXO.com raportoi të premten se zyrtari policor, Goran Millivojeviq që ishte shef i ndërrimit në pikën kufitare të Bërnjakes në ditën kur nga kjo pikë u arratis i kërkuari Millan Radojiçiq më herët ka qenë pjesë e ekipit të futsallit që menaxhohet nga Radojiçiq.

Në një rast të paprecedentë Millan Radojqiq u arratis nga pika kufitare ndërsa për arratisjen e tij u suspenduan nga puna Kapiten Milosh Dancetovic, rreshteri Goran Milivojevic dhe polici Jovan Jokovic. Millan Radojiçiq mbrëmjen e kaluar është arratisur në pikën kufitare Bërnjak.

Arratisja e tij nuk u incizua pasi kamerat e vendosura në disa pika të ndryshme në kufirin në Bërnjak nuk funksiononin.

Për këtë çështje, hetime ka urdhëruar edhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.

Ky i fundit para disa ditësh ka vendosur në “stop-listë”, Radojiçiqin për rastin “Brezovica”.

KALLXO.com raportoi se Millan Radojiçiq u ka ikur policëve të Kosovës në pikën kufitare të Bërnjakut në kohën kur ai kishte tentuar të futej në Kosovë.

Pasi i kishte dorëzuar dokumentet te zyrtarët e Policisë Kufitare, Radojiçiq ishte urdhëruar të parkonte veturën pasi ishte kuptuar se ai gjendej në “Stop listë”.

Burime të KALLXO.com thanë se Radojiçiq në këtë moment ishte arratisur drejt territorit të Serbisë, duke i lënë dokumentet te zyrtarët kufitarë të Kosovës.

KALLXO.com merr vesh se Millan Radojiçiq ishte futur në “Stop listë“ nga Prokuroria e Ferizajt, me autorizim të prokurorit Rasim Maloku në lidhje me rastin “Brezovica”.

Pra, rasti nuk ka të bëjë me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Prokurori Maloku ka thënë për KALLXO.com mbrëmë se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të merret me rrethanat e ikjes së Radojiçiqit dhe për mosfunksionimin e kamerave në pikën kufitare.

KALLXO.com gjithashtu raportoi se Millan Radojiçiqit i kanë mbetur dokumentet në pikën kufitare pasi ai është arratisur në sytë e tre ose katër policëve të Kosovës.

Skandaloze: Millan Radojiçiq i arratiset Policisë së Kosovës

Dosja: Eprori i policisë filmohet në fanellën e ekipit të biznesit të Millan Radojiçiq